DURRES, 19 shkurt 2013– Teuta është gati për ndeshjen e radhës, ndërsa lojtarët premtojnë fitore të padiskutueshme ndaj kurbinasve, duke thyer kështu tersin që përfshin skuadrën kur ndeshet me Laçin. Ndonëse na ndajnë disa orë nga përballja Teuta-Laçi, atmosfera në kampin durrsak por edhe rreth saj, është mjaft e ndezur. Kurbinasit i kanë hapur mjaft probleme durrsakëve, pasi një vit më parë i mohuan kampionatin, ndaj për Teutën është rasti më i mirë për t’u “hakmarrë” dhe njëkohësisht t’u prishin planet që laçianët kanë në Kupën e Shqipërisë, ku pretendojnë të sigurojnë një biletë për në fazën tjetër.
Kjo ndeshje pritet me interes të madh jo vetëm nga tifozeria durrsake, por edhe nga vetë protagonistët që pritet të zbresin në fushë. Në një prononcim për Agjensinë e Lajmeve “Dyrrah” mesfushori Albi Dosti teksa premtoi fitore ndaj kurbinasve theksoi se ka ardhur dita që kundërshtari të lajë hesapet.
“Përpara kemi një skuadër mjaft të fortë siç është Laçi, por ne jemi të detyruar për ta fituar këtë sfidë. Ne i kemi larë duart me kupën, që pas ndeshjes në Ballsh ndaj Bylisit, megjithatë ndaj Laçit do të luajmë sikur të ishte një ndeshje finale. Sezonin e shkuar Laçi na mohoi kampionatin, prandaj ta harrojnë se do të dalin me rezultat pozitiv nga “Niko Dovana”. Këtë ndeshje e kemi përgatitur deri në detajin më të vogël, ku jemi të bindur se do t’ia arrijmë qëllimit. Synimi ynë i vetëm për këtë përballje, është të fitojmë ndaj kurbinasve dhe të hakmerremi për ato që na kënë bërë”, pohoi fillimisht në fjalën e tij Dosti.
Të njëjtës linjë i ka qëndruar edhe mesfushori tjetër i Teutës, Renato Hyshmeri. Elbasanlliu pohoi se parashikon një ndeshje shumë të vështirë, por në fund fitimtar sipas tij do të jenë vendasit. Hyshmeri deklaroi se Laçi do të ketë të njëjtin fat me Luftëtarin dhe Shkumbinin, të cilët u mundën pastër.
“Ndaj kurbinasve kemi vetëm kujtime të hidhura, ku fillimisht na mohuan titullin, ndërsa pak kohë më parë na mundën për kupë në Laç. Për ne Laçi ka qenë një mace e zezë, por nuk besoj se do të jetë i tillë edhe pas këtij takimi. Këtë radhë luajmë përpara publikut tonë, të cilit i premtoj fitore të padiskutushme. Ne jemi përgatitur gjatë për këtë përballje dhe i kemi kushtuar një rëndësi të veçantë. Skuadra është në formën e saj më të mirë dhe këtë fakt do mundohemi ta shfrytëzojmë edhe ndaj Laçit. Personalisht jam i bindur se do ta kalojmë me sukses edhe këtë kundërshtar, sikundër bëmë edhe ndaj Shkumbinit dhe Luftëtarit”, përfundoi Hyshmeri.