Më 21 mars 2021, emisioni “Koha për t’u zgjuar” i gazetarit Bashkim Hoxha mbushi plot 24 vite që nga dita kur u shfaq në ekran për herë të parë.
Një rrugëtim i gjatë, gati çerek shekullor, në komunikim të përditshëm dhe të drejtpërdrejtë me qytetarët, duke u hapur atyre një dritare televizive ku mund të ngrenë problematikat, pse jo dhe t’u kërkojnë pushtetarëve zgjidhjen e tyre.
Në një intervistë për “DurrësLajm” gazetari Hoxha rrëfen se ai që filloi si një emision mëngjesi në televizionin e atëhershëm “Teuta” i kaloi shumë shpejt kufijtë e Durrësit, ndërkohë që prej vitesh shfaqet tashmë në një prej televizioneve më të ndjekura informative dhe audienca është kombëtare.
Së bashku me fotografin Gëzim Domi, mikun dhe kolegun e tij të ngushtë, Hoxha ka ndarë në gjithë këto vite vështirësitë e këtij komunikimi të përditshëm, por edhe ndjesinë e mirë që të krijohet kur kupton se pavarësisht kohës që kalon, emisioni mbetet ndër më të ndjekurit në fashën orare në të cilën transmetohet.
Si momentet më të vështira të punës së tij në emisionin e përditshëm, Hoxha nënvizon prag fushatat zgjedhore, kur tensionet politike transmetohen edhe në gjuhën e përdorur nga disa nga telefonuesit.
“Kur politika e elektrizon jetën e shoqërisë, ajo reflektohet edhe në emisionin tonë dhe shpeshherë zemërimet dhe shfrimet kundër politikës tejkalojnë normat. Zemërimi nganjëherë është i verbër dhe bie edhe mbi mua, që jam drejtpërdrejt në ekran me qytetarët. Në rrjedhën e tyre ato shpesh reflektojnë edhe shkallën e emancipimit të shoqërisë dhe pjekurinë e vetë qytetarëve”,- thotë Hoxha.
E meqë jemi në prag fushate, Hoxha, që e njeh mirë aktualitetin dhe nervin e politikës shqiptare, nuk mund t’i shpëtonte një pyetjeje lidhur me çfarë mendon ai për retorikën që po përdoret gjatë kësaj fushate apo tensionimet e vëna re sidomos gjatë javëve të fundit.
“Kur të nisë fushata zyrtarisht kam përshtypjen se tensionimet do të intensifikohen edhe më shumë”,– thotë Hoxha duke iu referuar situatës politike në mbarë vendin.
E ndërsa objektivi i radhës për emisionin “Koha për t’u zgjuar” është që të mbushë plot çerek shekulli në ekranin e vogël, Hoxha mbetet shumë aktiv edhe në krijimtarinë artistike.
Krahas romanit “Duartrokitësit”, të botuar pak muaj më parë, dramaturgu Hoxha rrëfen se sapo ka përfunduar një komedi, të cilën do ta ngjisë në skenë kur të përfundojë pandemia Covid-19.
Muaji qershor pritet ta gjejë dramaturgun e njohur në Rumani, ku komedia e tij “#Tag” që u vu në skenë në Teatrin Kombëtar është përzgjedhur ndër 6 tekstet më të mira bashkëkohore të vitit dhe do të botohet në një antologji. Me aktorë rumunë dhe titra anglisht, kjo komedi do të lexohet në festivalin e madh të teatrove që do të organizohet në Rumani. Por nuk mbaron këtu…
“Jam në përfundim të kontratës për botimin e romanit “Kronikat e mjegullës”, i cili është përkthyer në gjuhën rumune, ndërsa një skenar është miratuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë” dhe do të bëhet film nga regjisori durrsak Pluton Vasi”,- thotë Hoxha.
M.B.