DURRES, 19 shkurt 2013 – Teuta do të presë nesër në shtëpinë e saj Laçin, për të luajtur ndeshjen e kthimit për Kupën e Shqipërisë. Durrsakët i kanë dhënë duart prej kohësh këtij kompeticioni, por kanë premmtuar se do ta respektojnë deri në fund. Numri një i pankinës së “djemve të detit”, Gugash Magani, në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve “Dyrrah”, pohoi se skuadra do të futet në fushë për të luajtur sa më mirë dhe fituar këtë përballje.
“Skuadra nuk ka bërë paraqitje të mirë në kupë, pasi në katër takimet e luajtura deri më tani nuk ka grumbulluar asnjë pikë, ndaj kjo fitore për në do të jetë mjaft e rëndësishme. Me anë të kësaj ndeshje ne do të përpiqemi të formojmë skuadrën e duhur për ndeshjen e radhës. Gjithsesi, ne do dalim në fushën e blertë vetëm me idenë për ta fituar këtë ndeshje”,- pohoi Magani.
Të njëjtin mendim me trajnerin e tyre ndajnë edhe futbollistët e Teutës, duke nisur nga Mancaku, Sheta, Osmani e deri tek Dosti, Hyshmeri, Hodo e Muriqi, të cilët në prononcimet e tyre janë shprehur se kanë hesape për të larë me kurbinasit. Këta të fundit janë kthyer në një makth për bregdetarët, ku gjatë dy përballjeve të fundit u kanë prishur shumë punë “djemve të detit”. Madje me fitoren që kurbinasit arritën të merrnin ndaj durrsakëve në fushën asnjanëse të Krujës, kjo humbje i mohoi teutës titullin kampion.
/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/