DURRES, 16 shkurt 2013– Ashtu sikurse kishin paralajmëruar lojtarët e Teutës ashtu ndodhi. Durrsakët fituan me rezultatin e pastër 2 me 0 ndaj Luftëtarit, ndërsa konfirmuan edhe një herë tjetër forcën e tyre në fushën e lojës. Luftëtari nuk mundi të arrinte dot objektivin (barazimin), ndonëse bënë një paraqitje dinjitoze.

Kanë mjaftuar dy gola të sulmuesit Daniel Xhafaj që Teuta të hipotekonte tre pikët. Vlonjati bëri një paraqitje mjaft të mirë, ndërsa shënoi në minutën e 56 dhe 82 të takimit. Teuta zhvilloi një lojë të thjesht dhe pa gabime, ndërsa nuk la pa shfrytëzuar rastet e ofruara.

Ndeshja nisi mirë për të dyja skuadrat, por rastet i takojnë vendasve të Teutës. Të zotët e shtëpisë që nga momenti që hynë në fushë nisën të ushtronin presion mbi miqtë. Pak minuta nga fundi i pjesës së parë Xhafaj pati dy raste për ta dërguar skuadrën në dhomat e zhveshjes të qetë, por në të dyja rastet ka dalë fitimtar portieri Milivjeviç, i cili bëri dy pritje të bukura.

Pjesa e dytë

Menjëherë pas vërshëllimës së gjyqtarit Sadiku për nisjen e pjesës së dytë Teuta u zhvendos në mesfushën kundërshtare në kërkim të golit, ndërsa presioni mbi gjirokastritët sa vinte dhe rritej. Pas një rrëmuje në zonë, miqtë nuk mundën të largonin dot topin dhe aty ka përfituar Xhafaj, i cili nuk gabon dhe me një gjuajtje mjaft të saktë kaloi vendasit në avantazh 1-0.

Gjirokastritët nuk mund të kënaqeshin me rezultatin dhe u hodhën në sulm për të gjetur golin e barazimit, por ndërkohë linin shumë hapësira prapa. Daniel Xhafaj ka shfrytëzuar më së miri një gabim të portierit mik, ku me një parabël shënon golin e dytë të tij, por edhe të sigurisë për skuadrën. Kjo është fitorja e dytë e skuadrës durrsake në po kaq ndeshje të kësaj faze. Durrsakët do të presin të qetë ndeshjen mes Skënderbeut dhe Apolonisë, e cila do të zhvillohet nesër në Fier.