ANGLI, 12 shkurt 2013– Sulmuesi i Tottenham, Jermain Defoe, u arrestua nga policia pasi ka kërcënuar me kanosje jete dy gra, të cilat ishin ftuar në një festë në shtëpinë e tij.

Një e afërme e tij, kishte organizuar një festë në shtëpinë e futbollistit, ndërsa ky i fundit nuk ishte prezent. Pas festës, Defoe konstatoi se në garderobën e tij mungonin bizhuteri dhe rroba që kapnin vlerën e 200 mijë paundëve. 

Një nga gratë që e kallëzoi në polici pasi kishte marrë kërcënime prej tij, tha se kishte marrë kërcënime edhe nga dy të afërm të tij. 

Dy gratë e kërcënuara ishin pjesëmarrëse në festën që u organizua në shtëpinë e Jermain Defoe dhe dyshohet që të kenë gisht në vjedhjen e bizhuterive.

Gjithsesi, Defoe, i cili merr 60 mijë paund në javë tek skuadra e Tottenham, u lirua nga paraburgimi pa asnjë akuzë po ditën e sotme.