ITALI – Ashtu si të gjithë baballarët e tjerë, edhe krerët e grupeve mafioze janë shumë të dhënë pas fëmijëve dhe shpesh bëjnë marrëzi për t’u plotësuar dëshirat. Por deri tani askush nuk kishte bërë diçka të tillë si Domenico Ferrara, kreu i klanit mafioz me të njëjtin emër. Kohët e fundit vajza 13 vjeçare e mafiozit italian mori pjesë në një konkurs kënge të zhvilluar në RAI, “Ti lascio una canzione”, dhe të drejtuar nga Antonella Clerici. 

Pas arrestimit të Domenico Ferrarës pak ditë më parë dhe prangosjes së 8 eksponentëve të tjerë të klanit, karabinierët kanë zbuluar 300 telefonë dhe po kaq karta SIM që mendohet se janë përdorur nga grupi mafioz për të votuar për vajzën 13 vjeçare të Ferrarës. 

Mesa duket bosi i mafias italiane ka detyruar qindra banorë të qytetit të votonin për vajzën e tij, madje ai ishte aq i fiksuar pas fitores së saj saqë kishte ngritur edhe një fans-club për të në dhomën e këshillit bashkiak në qytetin Villaricca. Gjithsesi, pavarësisht përpjekjeve të të atit, vajza e tij u rendit e dyta.

Policia është duke hetuar tani nëse telefonat e gjetur janë përdorur apo jo për të favorizuar votimin për konkurenten në fjalë. Domenico Ferrara, i akuzuar për trafik droge nga Spanja në Itali dhe i arrestuar pak ditë më parë, është kreu i klanit të Kamorrës në qytetin Villaricca pranë Napolit.