DURRES– Ndeshja e mbrëmjes së 2 shkurtit midis Teutës dhe Vllaznisë në “Ramazan Njala” në volejboll për meshkuj shënoi fillimin e fazës së plejofit në luftën për titullin kampion. Durrsakët, veçanërisht vitet e fundit, nuk e kanë mundur Vllazninë me kaq lehtësi sa tani. Brenda 65 minutash Teuta realizoi fitoren e paralajmëruar.

Dyshja e volejbollistëve të huaj Medenica dhe Renovica, është shkrirë organikisht me volejbollistët vendas vëllezërit Dashi, Pepaj, Nazifi, Kolea etj. Teuta ndonëse në këtë fillim të plejofit, tregoi edhe njëherë ambicjen për të fituar titullin kampion.

Kujdesi i treguar nga klubi shumësportesh Teuta dhe presidenti Markelian Rexhepi, i ka dhënë mundësi ekipit durrsak që të jetë pretenduesja numër një për titullin kampion. Përforcimet janë të dukshme me malazezin Vuk Medenica dhe boshnjakun Nikola Renovica.

Drejtimi i ekipit i është besuar një të huaji tjetër, maqedonasit Harri Nakovski. Kualitete të tjera aktive në funksion të interesave të këtij sezoni, janë edhe Blerim Pepaj i ardhur nga Studenti, vëllezërit Aldo dhe Jurgen Dashi, Entigleno Nazifi, Edmond Moku, Gjergj Bardhi, Denis Liti dhe dy të rinjtë e së ardhmes Xhulio Myftari dhe Ani Vora.

Ndonëse edhe shkodranët prezantuan një përbërje simpatike, ku dalluan dy përfaqësues të brezit të ri të këtij volejbolli pasuesi Fatjon Çekini dhe shuteri Klaudjo Qerraxhija. Të tria setet thuajse ishin në unison njëri me tjetrin dhe u zhvilluan me epërsinë e plotë të vendasve.

Vllaznia nuk mundi të shijonte as pikën e 19-të, e jo më fitoren e një seti. Kujtojmë që në fazën e plejofit janë edhe dy ekipet e kreqytetit: Studenti (kapione në fuqi) dhe Tirana. Por sfida për titullin sipas të gjitha gjasave, pritet të zgjidhet nga dyluftimet ndërmjet Teutës dhe Studentit që drejtohet nga tekniku Ylli Tomori. Në faqen e parë të bllokut të ngjeshur të plejofit, Teuta rregjistron fitoren e parë. Po më tej? Shpresohet akoma edhe më mirë.

TEUTA – VLLAZNIA   3-0

Rezultati për secilën pjesë: 25-17, 25-18, 25-18

FORMACIONET

TEUTA: A. Dashi, J. Dashi, Medenica, Pepaj, Nazifi, Renovica/ Koleka, Bardhi, Myftari, Vora, Moku, Liti. Trajner: H. Nakovski

VLLAZNIA: Rrahishta, Miloti, Qafarena, Jukni, Çekini, Qerraxhija/ R. Kola, Drinazi, Taflaj, Tafa, Gjoni, K. Kola. Trajner: A. Kalaja

GJYQTARË: R. Omari, I. Fështi