TIRANË-Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur sot të gjithë ata miq të Facebook që kanë mbështetur thirrjen për referendum me qëllim votimin e 3 ligjeve të integrimit. 
Duke theksuar se numri i mbështetësve ishte mijëra herë më i madh se personave kundër, Berisha ka zgjedhur sot Facebook që shprehë benefitet që Shqipëria fiton nëse merr statusin e vendit kandidat në Bshkimin Europian. 

“Të dashur miq! Së pari dua t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë për mbështetjen tuaj të fuqishme, në rrjetin tonë social, të idesë së thirrjes së referendumit për miratimin e tre ligjeve që kërkohen nga BE, që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për anëtare në BE. 

Nga dita e shtunë në drekë gjer sot në mëngjes, statusi për referendumin (sipas insights të tij) u pa nga mbi 154 mijë vetë, u komentua nga mbi 2200 anëtare të rrjetit tonë, gjeti mbështetjen më masive dhe vetëm 143 vetë patën reagim negativ ndaj tij. Mbështetja juaj e fuqishme buron nga dëshira juaj legjitime për të parë flamurin tonë kombëtar të valëvitet sa më shpejt në selinë e BE-së, sic valëvitet në selinë e NATO-s, në Bruksel. 

Me marrjen e statusit të vendit kandidat, Shqipëria do marrë qindra e qindra milionë euro investime nga Komisioni Europian dhe sektori privat i vendeve anëtare, do hapen dhjetëra mijëra vende të reja pune dhe të rinjtë shqiptare do fitojnë mijëra e mijëra të drejta studimi në vendet anëtare të BE. 

Mbështetja e juaj e fuqishme është një detyrim madhor për mua, që me referendumin për statusin e vendit kandidat të ecim të sigurt përpara – sb”, shkruan Berisha në Facebook