TIRANE – Kryebashkiaku Lulzim Basha dhe Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj kanë inspektuar sot punimet për rikonstruksionin e plotë dhe ndërtimit të një shtese, në shkollën e mesme “Eqerem Çabej”. Për këtë shkollë të ndërtuar në vitin 1947, Drejtoria e Higjienës ka nxjerrë disa urdhra mbyllje deri në vitin 2011, për shkak të kushteve të papranueshme në zhvillimin normal të procesit mësimor. 

“Nevoja për një shkollë të mesme të përgjithshme të këtyre kapaciteteve dhe të kësaj cilësie ka qenë e papërmbushur për një kohë të gjatë. Ne sot ndodhemi në një prej kantiereve ku vlera e parave të taksapaguesve të Tiranës dhe të Republikës do të jetë e prekshme, e madhe dhe krahasimisht me leverdi për të gjithë banorët e kësaj zone, fëmijët e të cilëve do të gëzojnë këtë cilësi të re mësimdhënieje në njësinë bashkiake nr. 4, në shkollën që mban emrin e personalitetit të shquar të kulturës dhe shkencave, Eqerem Çabej. Brenda 10 muajve, kur puna të ketë përfunduar, ne do të jemi përsëri këtu për të parë jo vetëm mundësitë për të sistemuar 900 gjimnazistë të kësaj zone, duke bërë të mundur që ata të studiojnë këtu në zonën ku jetojnë dhe mos të detyrohen si deri më tani, për të shkuar deri tek “Sami Frashëri” apo më larg. Gjëja më e rëndësishme është se këta nxënës do të bëjnë mësimin në kushte vërtet model, në kushte me standard evropian, çka pa dyshim do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në cilësinë e mësimdhënies, në cilësinë e përftimit të dijeve, si dhe do të jetë një ogur i mirë për suksesin e tyre në të ardhmen, qoftë në jetën universitare apo në jetën profesionale që i pret” – u shpreh z. Basha. 

Projekti parashikon riorganizimin e ambienteve të brendshme ekzistuese të shkollës, klasave, nyjeve higjieno-sanitare, ambientit për mjekun, psikologun, sekretarinë dhe ambientin e mbyllur për kaldajën, instalimi i sistemit të ngrohjes qendrore. Me një investim prej 126.6 milionë lekësh, kjo shkollë do të ketë kapacitete të mjaftueshme për akomodimin e 900 nxënësve, nga 600 që ka aktualisht. Projekti i shkollës parashikon ndërtimin e 6 laboratorëve e 19 klasave. Gjithashtu, nëpërmjet shtesës së re, përftohen ambiente të reja si biblioteka, salla polivalente, administrata, palestra e mbyllur, dhomë mjeku, psikologu dhe një terren sportiv prej 368 m2. 

“Me përfundimin e këtij rikonstruksioni i cili bashkëfinancohet nga qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës, ne do ta shndërrojmë shkollën “Eqerem Çabej” në një qendër jo vetëm për gjimnazistët, për të gjithë ata që janë në moshë për shkollën e mesme në këtë zonë, duke rritur kapacitetin, në 900 nxënës si dhe duke i dhënë elementë të fortë të bashkëveprimit komunitar, përmes ndërtimit të një palestre me standarde moderne dhe ndërtimit të një qendre multifunksionale. Në bashkëpunim me qeverinë, aktualisht me Ministrinë e Shëndetësisë (gjej rastin të falënderoj për këtë ministrin Tavo), do të përftohen ambientet e shkollës për aktivitetet sportive si dhe një hyrje e re për shkollën “Eqerem Çabej”. 

Kreu i Bashkisë Lulzim Basha tha se të gjithë investimet që po vazhdojnë anembanë qytetit, janë fryt i një planifikimi të kujdesshëm dhe i një komunikimi të vazhdueshëm me të gjithë faktorët, që nga njësitë bashkiake, qytetarët, Ministrinë e Arsimit dhe Drejtorinë Rajonale Arsimore, në rastin e investimeve në objekte arsimore, etj.