INDI– Një nepaleze është përdhunuar tre herë në harkun kohor të 24 orëve nga tre burra të ndryshëm. Ngjarja e rëndë është regjistruar në Indi. Policia ka arrestuar dy nga përdhunuesit, ndërkohë që është vënë në kërkim të personit të tretë.
E reja 20 vjeçare sapo kishte mbërritur në Mumbai për të kërkuar burrin e saj që ishte zhdukur.
Ndërsa kishte shkuar për ta kërkuar në vendin e tij të punës, ajo është përdhunuar për herë të parë nga punëdhënësi i bashkëshortit të saj, i cili e ka braktisur në një park.
Një punëtor që është ofruar për ta ndihmuar dhe për t’i gjetur një vend të sigurt në një hotel ishte përdhunuesi i saj i dytë.
Në një gjendje të rëndë psikologjike gruaja i është drejtuar një të afërmi për ndihmë. Familjari i saj i ka dërguar një shokun e tij për ta ndihmuar, duke mos menduar se ai do të kthehej në përdhunuesin e saj të tretë.
Pas gjithë kësaj ngjarjeje gruaja i është drejtuar stacionit më të afërt të policisë ku dhe ka bërë denoncimin.
Ditët e fundit mediat indiane kanë raportuar raste të shumta përdhunimesh në Mumbai dhe qytete të tjera të Indisë.
Kjo ngjarje pason përdhunimin në grup të një studenteje indiane në një autobus. Ngjarja në fjalë ngjalli reagime të ashpra në Indi dhe manifestime të dhunshme në sheshe.