Sfida mes Realit të Madridit dhe Man-çester Junajtid do të rikthejë në botën e futbollit një duel të vjetër, atë mes Aleks Ferguson dhe Zhoze Murinjos.
Dy rivalë të vjetër, dy ish-"armiq" dhe më pas dy figura që gjithnjë e kanë respektuar njëri-tjetrin, do të përballen sërish mes tyre për një vend në çerekfinale. "Më duhet të porosis që tani një shishe verë për Murinjon, – deklaroi Ferguson pas shortit. – Është një mundësi e madhe për tifozët tanë që të shohin sërish Kristiano Ronaldon, ndërsa për mua është një shans që të ritakohem edhe njëherë me Zhoze Murinjon", shtoi ai.
Në Angli, të gjithë e shohin "Mou" si pasuesin e Fergit, kur ky i fundit të vendosë të largohet nga stoli i Junajtid. Ndërsa për Kristiano Ronaldon do të jetë hera e parë që do të rikthehet në "Old Traford", që kur ai u largua 3 vjet më parë për shifrën rekord të 94 milionë eurove.
Murinjo e Ferguson kanë patur një traditë të vjetër, që gjithnjë pas ndeshjeve pinin së bashku një shishe verë. Atë e nisi skocezi, ndërsa në ndeshjen pasuese të vitit 2005, Murinjo bleu një shishe verë të kuqe portugeze prej 300 stërlinash.
Gjithsesi, Junajtid do të ketë nevojë për fat ndaj Realit, të cilin e ka mundur vetëm njëherë në Champions, në vitin 1968. Sa i përket rikthimit të Ronaldos, ai duket i mirëpritur në "Old Traford". "Oh, Madridi!! Çfarë ndeshjesh të bukura! Kristiano, shihemi së shpejti vëlla", shkruajti në Tuiter Rio Ferdinand. "Do të jetë një ndeshje speciale për Ronaldon, por jam i sigurt se ai do të bëjë gjithçka që të fitojmë ne", tha drejtori sportiv i Realit Emilio Butragenjo.