TIRANË- Ndalohen nga policia 3 ish-të përndjekur politikë. Ish të dënuarit politikë Arif Beu, Agim Kollçaku dhe Fatmir Lloçi janë ndaluar paraditen e sotme nga efektivët e Komisariatit numër 2 dhe janë shoqëruar në Komisariat, ndërkohë ende nuk dihen shkaqet dhe rrethanat për një aksion të tillë. Ndalimi i tre personave është bërë tek zona pranë Pallatit të Kongreseve. 

Kujtojmë që me 22 shtator të këtij viti, një grup ish-të përndjekurish nisën një grevë urie, e cila çoi në vetëflijimin e disa prej tyre, ndërkohë që Lirak Bejko fatkeqësisht vdiq nga plagët e marra. 

Grevistët pretenduan se Qeveria nuk mbajti premtimet për dëmshpërblimin e viteve të tyre të burgut. Sipas ish të përndjekurve politikë, gjendja aktuale e tyre është tepër e rëndë, ndërsa dëmshpërblimi u shty për një afat të pacaktuar.