ELBASAN– Maskat grabisin dhe plagosin rëndë kambistin. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në qytetin e Elbasanit, ku gjashtë persona të armatosur kanë sulmuar 52-vjeçarin Xhemal Liçi gjatë kohës që ky i fundit ka qenë duke dalë nga shtëpia e tij. Sipas Policisë së Elbasanit, ngjarja ka ndo-dhur rreth orës 7 e 30 minuta në lagjen "Kala", ku punonjësi i këmbimit valutor, teksa ka qenë duke dalë nga shtëpia, është bërë pre e dhunës dhe plumbave të pistoletës që mbanin në duar disa grabitës të maskuar. Mësohet se gjashtë persona, ende të paidentifikuar, kanë qëlluar me armë zjarri mbi Liçin, duke e plagosur rëndë atë dhe duke i grabitur shumën e lekëve që ka pasur me vete. Sipas policisë, autorët janë larguar me një mjet pa targa, të cilin e kishin parkuar jo shumë larg vendit të ngjarjes. Ndërkohë, nga ana e forcave blu bëhet me dije se ka rënë në gjurmë të autorëve të dyshuar të kësaj grabitjeje, si dhe ka shoqëruar disa persona të cilët janë marrë në pyetje. Gjithashtu, janë sekuestruar pamjet filmike të disa kamerave sigurie të banesave në rrugën ku ndodhi krimi, si pasojë e të cilit ka ngelur i plagosur rëndë 52-vjeçari Xhemal Liçi. Për të mësuar më tepër rreth ngjarjes dhe gjendjes shëndetësore të tij, "Gazeta Shqiptare" ka mundur të kontaktojë me djalin e tij, Blendin. Ky i fundit, 25 vjeç, tregon versionin e historisë, ashtu siç ia ka thënë i ati në momentin që e ka takuar në spital.
Çfarë dini për ngjarjen, si ka ndodhur?
Babai ka dalë nga shtëpia rreth orës 07:30 minuta dhe në momentin që është afruar tek makina, i janë afruar gjashtë persona të armatosur dhe të maskuar. Babai ka dashur t'u shmanget dhe në këtë moment, dy prej tyre i janë afruar dhe me elektroshok e kanë rrëzuar në tokë. Në këtë kohë, dy grabitësit janë larguar, por katër të tjerët e kanë marrë babain dhe e kanë futur në makinë. Aty babai është përmendur dhe ka tentuar që të lirohet prej tyre, dhe ata e kanë qëlluar me pistoletë.
Ka marrë më parë babai juaj kërcënime apo keni pasur ndonjë histori të tillë më parë?
Jo, nuk kemi marrë asnjë kërcënim, as histori hasmërie s'kemi pasur. Por, babain e kanë ruajtur dhe i kanë studiuar mirë lëvizjet e tij. Këtë e them, sepse në momentin që gjashtë personat e kanë qëlluar babain tim, ata më pas janë larguar me një mjet që e kanë parkuar afër shtëpisë sonë. Kjo tregon që çdo veprim i tyre ka qenë i planifikuar. Ata janë nisur që ta grabisin babain, por kur ky i ka refuzuar, e kanë qëlluar. Por, nuk mund të them se sa lekë i kanë marrë, pasi këtë gjë e di vetëm ai dhe askush tjetër.
Në çfarë vendi e kanë zënë plumbat babain?
Një plumb e ka zënë në këmbë, ku edhe e ka dëmtuar shumë. Ndërsa plumbi tjetër ishte nisur për në kokë, por duke qenë se babai iu është shmangur, plumbi e ka marrë në kraharor.
Juve kush ua tha ngjarjen, e keni takuar babain tuaj?
E takova kur erdhi në spital dhe aty filloi të më tregonte se çfarë kishte ndodhur. Por, nuk e lashë të më fliste shumë, se nuk doja ta lodhja, për shkak të gjendjes së tij aspak të mirë shëndetësore. Ka bërë një ndërhyrje që ka zgjatur tri orë dhe mjekët na kanë thënë se ende nuk e ka kaluar gjendjen kritike për jetën.





