Të gjithë e dimë se pirja e duhanit është e dëmshme për shëndetin. Por cilat janë efektet e tij në rrezikun e prekjes nga një formë e rëndë e koronavirusit? Kjo çështje po debatohet prej disa kohësh, teksa ka prova të ndryshme që tregojnë se pirja e duhanit e rrit rrezikun si të infektimit po ashtu edhe të simptomave më të forta.

Së fundmi 2 studiues nga Universiteti Xhon Hopkins në SHBA, kanë prezantuar të dhënat e një studimi më të ri. Sipas tyre, probabiliteti i vdekjes për pacientët duhanpirës me Covid-19, është 2-fish më i lartë në krahasim me ata që nuk e pinë duhanin.

Kësisoj, të jesh pirës i duhanit është një faktor i rëndësishëm rreziku, që u shtohet faktorëve të tjerë dhe gjendjeve shëndetësore siç është mbipesha, e lidhur më shumë me forma të rënda të Covid-19. Rezultatet e këtij studimi janë botuar në “Annals of the American Thoracic Society”.

Pirja e duhanit dhe Covid-19, një çështje shumë e diskutuar. Deri më tani është folur shumë mbi lidhjet mes pirjes së duhanit dhe Covid-19, me prova që shpesh nuk janë përfundimtare, madje në disa raste në kontrast me idenë se cigaret shtojnë rreziqet. Për shembull, një studim francez supozoi se nikotina mund të ishte disi mbrojtëse.

Edhe pse kjo në asnjë mënyrë nuk nënkuptonte se pirësit e duhanit nuk ekspozohen më shumë ndaj infeksioneve më të rënda me Covid-19. Autoritetet shëndetësore tregojnë se duhani mund të shtojë gjasat e prekjes nga infeksioni, qoftë edhe sepse preken më shpesh buzët me gishta dhe me cigaren ndoshta të kontaminuar me koronavirus.

Problemet e studimeve

Një nga kufizimet e tyre, sipas studiuesve Enid Neptun dhe Mishel Ekin, ka të bëjë me faktin se shumë kërkime janë të përqendruara në marrëdhëniet midis pirjes së duhanit dhe receptorit Ace2, një proteinë qendrore e Covid-19, meqë në të virusi kapet pas qelizave dhe përhapet në gjithë trupin.

“Përdorimi i sasisë sëAce2 si një indeks sasior i infektivitetit dhe sëmundshmërisë nga SARS-Cov-2 është shumë problematik. “Për të siguruar një kornizë mbi të dhënat mbi Ace2, është i nevojshme të kryhet një studim i thelluar, mbi atë nëse ndikon dhe si ndikon tymi i duhanit dhe nikotina në infektivitetin me Sars-Cov-2 ose ngarkesën virale (sasia e virusit)”- thotë Neptun.

Studiuesit propozojnë disa aspekte që duhen eksploruar, në mënyrë që të kuptohet më mirë roli i pirjes së duhanit. Në veçanti, duhet të studiohen efektet e pirjes së duhanit në mukozën e hundës, duke pasur parasysh se hunda është rruga kryesore e hyrjes së koronavirusit në trupin e njeriut, ndërsa deri më tani ka pak studime se çfarë ndodh në këtë ind tek duhanpirësit.

Së dyti, duhet të studiohet më mirë se si duhani na bën të prekshëm nga Covid-19. A e bën pirja e duhanit trupin dhe sistemin tonë imunitar të paaftë (ose më pak të aftë) për të reaguar ndaj virusit, ose a kontribuon në aftësinë e dobët të trupit për ta rregulluar këtë përgjigje?

BPCO dhe Covid-19

Po ashtu është e nevojshme të shqyrtohet se çfarë ndodh me proteinat Ras ose Sraa ( sistemi renin-angiotensin-aldosteron). Ato ndërhyjnë në disa mekanizma qelizorë, që kanë gjithashtu ndikim mbi shëndetin e mushkërive. Për shembull, mjekët e dinë se ndërprerja e disa aktiviteteve të këtyre proteinave, mund të jetë mbrojtëse kundër dëmtimeve të mushkërive të shkaktuara nga pirja e duhanit në pacientët me BPCO (sëmundje pulmonare obstruktive kronike). A mund të vlejë kjo edhe për Covid-19?

Studimi i rolit të nikotinës

Mbi bazën e të dhënave potencialisht të favorshme që lidhen me nikotinën – dhe jo duhanin – lidhja midis këtij përbërësi dhe Covid-19,lipset të analizohet më mirë, duke kujtuar gjithnjë se varësia nga nikotina, është një nga problemet me pasoja qendrore për sa i përket shëndetit publik. /Bota.al