ANGLI – Rihapet hetimi për vdekjen e këngëtares Amy Winehouse, pasi doli në dritë fakti se autoriteti gjyqësor që ishte marrë me të nuk kishte atributet për ta bërë një gjë të tillë.
Suzanne Greenaway ishte emëruar zv/asistente e gjykatësit në vitin 2009, nga burri i saj, gjyqtari Andrew Scott Reid. Vitin e kaluar Greenaway mbikqyri hetimet që u kryen për të zbuluar shkakun e vdekjes së këngëtares 27 vjeçare, që u gjet e vdekur në 23 korrik të vitit të kaluar në shtëpinë e saj në Camden, në veri të Londrës.
Tashmë është zbuluar se Greenaway, një avokate australiane, që ishte pjesë e Gjykatës së Lartë në vendin e saj, nuk kishte mbushur ende periudhën prej pesë vitesh praktikë, periudhë kjo e nevojshme për t’u emëruar në detyrë në gjykatën londineze. Pas polemikave të hapura, Greenaway dha dorëheqjen.