SHBA– Matematika ka qenë gjithmonë pjesë përbërëse e fushave që duken krejtësisht të ndara prej saj. Sot, matematika përbën një pjesë të rëndësishme të grafikës dixhitale dhe teknikës së prodhimeve vizatimore. Por për disa artistë, matematika është frymëzimi dhe objekti i punës së tyre.

Vendosja e një skulpture të re në Universitetin Stony Brook, pranë Nju Jorkut, ishte objekti i këtij aktiviteti festues. Skulptura Umbilic Torus SC u krijua nga artisti dhe matematikani Helaman Ferguson.

Vepra u përgatit në studion e tij në Baltimore. Ashtu si të gjitha skulpturat e tjera të artistit, edhe kjo u frymëzua nga një formulë matematikore.

"Ky është një përshkrim në terma i një strukture matematikore. Përveç skulpturës si objekt, e veçantë është edhe mënyra se si e kam krijuar atë."

Skulptura përshkohet nga një linjë e ngritur mbi sipërfaqe, e cila vazhdon pa ndërprerje, edhe kur kalon nga njëra pjesë në tjetrën.

Zoti Ferguson ka kryer studimet e doktoraturës në matematikë. Ai përdori një kompjuter si ndihmë gjatë projektimit të skulpturës, e cila përbëhet nga 144 pjesë.

Në vend të çekiçit dhe daltës ai përdori një robot për ndërtimin e blloqeve ranore, të cilat më pas u derdhën në bronz.

Skulpturat e Ferguson e pasqyrojnë mjaft mirë atë bukuri, e cila thekson se matematika është shumë më tepër se sa vetëm numra.