TIRANE- Ministri i Financave, Ridvan Bode, shprehu dje qëndrimin e PD-së se është e hapur për koalicion me LSInë e Ilir Metës, por ai ka bindjen se PD-ja është përgatitur të fitojë edhe e vetme në 2013- ën. I ftuar mbrëmë në "Vizion Plus", Bode mohoi mundësinë e një aleance me FRD-në e Bamir Topit me argumentin se më parë duhet të tregojë mbështetjen që ka në elektorat. 

Ministri i Financave u ndal dhe tek rezoluta çame për të cilën tha se më parë do të rishikohet nëse është përshtatur me standardet ndërkombëtare dhe më pas do të merret vendimi nëse do të votohet në Kuvend. Ridvan Bode komentoi edhe mosvotimin e kryeparlamentares Jozefina Topalli ndaj kryeprokurorit të ri Adriatik Lala, duke e cilësuar atë si qëndrim personal. Por Bode nuk mohoi mundësinë që vota kundër e Topallit kishte të bënte me paaftësinë e z.Llalla për të luftuar korrupsionin. 

Ministri Bode iu përgjigj edhe akuzave të LSI-së për infrastrukturën rrugore, në mënyrë të veçantë në Berat, duke pohuar se nuk ndërtohen të gjitha rrugët njëherësh. Ministri i PD-së analizoi edhe deklaratat nacionaliste të Kryeministrit Berisha dhe marrjen e shtetësisë shqiptare duke thënë se nuk kanë asnjë sfond politik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por që i përshtatet jubileut të pavarësisë. Z.Bode u pyet edhe për mbarimin e mandatit të tij si sekretar i përgjithshëm i PD-së, duke thënë se ende e mban këtë post dhe askush nuk e ka shkarkuar. 

Z.ministër, kryeparlamentarja Topalli nuk votoi qëllimisht kryeprokurorin e ri Llalla. Keni ndonjë koment për këtë?

Nuk kam ndonjë koment. Mund ta pyesni Topallin. Ka qenë zgjedhje e saj për qëndrimin e saj personal. Nuk ka qenë qëndrim politik dhe as që është diskutuar për ndonjë qëndrim politik ndryshe nga kjo. 

Topalli e ka bërë qëllimisht…

Në parlament vota nuk është personale, është politike, por ndonjëherë ndodh që motivet personale mund të jenë më të forta në mbajtjen ndaj një qëndrimi të caktuar. 

Ka të bëjë me paaftësinë për të luftuar korrupsionin të kandidaturës në fjalë?

Edhe ajo mund të jetë një arsye. 

Si i konsideroni deklaratat nacionaliste të Kryeministrit Sali Berisha dhe pse pikërisht tani para zgjedhjeve, a është kjo në funksion të zgjedhjeve dhe ai i shërben kjo integrimit të vendit?

PD ka një mijë e një argumente për tu drejtuar publikut për mbështetjen e votës. Çështja e retorikës patriotike në këtë moment mendoj se ka një kontekst konkret që ka të bëjë me 100- vjetorin e pavarësisë dhe secili nga ne u ndje më shumë nacionalist sesa në çdo ditë tjetër të këtij shekulli dhe këtij viti. 

E mbështesni idenë e z.Berisha për marrjen e nënshtetësisë?

Kur të tjerët e kanë bërë para nesh dhe nuk kanë provuar të njëjtën tension për ç'kombëtarizimin apo… 

Mirëpo s'kanë të njëjtën specifikë si ne? 
Gjithmonë mund të gjendet një arsye për të gjetur specifika, por duhen gjetur edhe të përbashkëtat. 

Do u merrni taksa atyre që marrin këtë pasaportë?

Sigurisht, pasi e ka të përcaktuar ligji për taksat. Taksat nuk paguhen për shkak të kombësisë, por për shkak të aktivitetit ekonomik që kryen. 

Duke qenë qytetar me pasaportë shqiptare, do dhe pension?

Ndihma ekonomike lidhet me vendin ku banon. Pensioni jepet për kontributet dhe jo për shkak të nacionalitetit. Këto nuk vijnë për shkak të kombësisë dhe shtetësisë. Këto janë atribute dhe kontribute që lidhen me aktivitetin konkret. 

Sa para do të vijnë në Shqipëri me rregullin e ri që çdo investitor i huaj të investojë mbi 200 mijë euro?

Nuk mendoj se mezi presin që të vijnë në Shqipëri për të marrë nënshtetësinë. Por është e vërtetë që një kategori e caktuar njerëzish, që nuk mund të them se do bëjnë një bum ekonomik për Shqipërinë, kanë patur interesa, por janë bllokuar nga kjo e drejtë pasi disa të drejta që kanë të bëjnë me pronësinë kanë të bëjnë dhe me statusin juridik të individit. 

Do u jepet atyre mundësia që të votojnë? Ka ndonjë truk në këtë rast?

E ka bërë fare të qartë z.Berisha. Është një kategori shumë e limituar. 

Sa ndikon në fushatën e ardhshme elektorale kriza ekonomike dhe mospërtëritja e qeverisë përfshi dhe ju, që ka ministra që janë 7 vjet që nuk lëvizin nga qeveria?

Mendoj se këto 8 vite të mazhorancës në qeverisje do të peshojnë në anën pozitive dhe sigurisht dhe ofertat formulohen. 

Z.Meta ka bërë dy akuza ndaj qeverisë, njërën për buxhetin që është lënë pas dore Berati dhe pakësimin e mandateve në këtë qark dhe mundësinë për t'ia dhënë Kukësit. Ka ndonjë problem?

Ndarja e investimeve nuk është një gjë që mbetet e ngurtësuar, por buxheti jep vetëm trendin e vëllimit të investimeve. Ka pasur deputetë të PDsë që e kanë kërkuar këtë gjë si Bedri Hoxha… Po e kanë kërkuar, por bëhet fjalë për investime që figurojnë në shpërndarje, por ajo që ne po bëjmë është që mos të hapim fronte të reja pa mbyllur ato që kanë nisur, përfshi edhe rrugët në Berat. Deri në zgjedhje do të rikuperohen akset në Berat. Rrugët lidhëse janë ndërtuar. 

Po ndiqni ndonjë taktikë elektorale ndaj Beratit?

Jo. Berati është aksesuar nga Elbasani dhe kjo pjesë do të fillojë në momentin e duhur. Nuk fillojnë të gjitha rrugët njëherësh.

Do të jeni në koalicion me LSI-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare? 
Sigurisht, ne mbetemi të hapur për koalicione. 

Mund të fitoni dhe pa LSI?

Jemi të përgatitur për të fituar dhe vetëm. 

Ju do të jeni sërish sekretar i përgjithshëm i PD-së edhe pse ju ka mbaruar mandati?

Unë jam sekretar i përgjithshëm. 

Kush ju ka konfirmuar?

Unë nuk jam i shkarkuar. 

Do ta mbështesni në Parlament rezolutën çame?

Do të shikohet. Mund të ketë nevojë për gjëra që duhet të rregullohen. Diplomacia është e domosdoshme në çdo moment. 

Pra do të njiheni më parë me rezolutën?

Mendoj se do të bihet dakord për një tekst të përbashkët. 

PS-ja dhe LSI kanë deklaruar se do ta votojnë?

Nuk e di që e kanë mbështetur. 

Do të shikoni përmbajtjen njëherë pastaj do ta votoni?

Do të shikohet rezoluta, çfarë ajo përmban dhe sa është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe do të vendoset. 

Është i mundshëm një koalicion me FRD-në e z.Topi?

Nuk mendoj se ajo parti do të luajë ndonjë rol të qenësishëm në zgjedhje. Është herët për të folur për hipoteza. Njëherë duhet të tregojnë që kanë mbështetje dhe unë dyshoj shumë në këtë mundësi.