EKSKLUZIVE/ Letër e marinarëve rusë, që i drejtohen nga Durrësi për ndihmë miliarderit, kandidat për President të Rusisë, Mihail Prohorov. Fakti i bujshëm është bërë publik në mediat ruse dhe ukrainase. Kështu Durrësi, sërish kthehet në qendër të lajmeve ndërkombëtare për ngjarje me det. E përjavshmja” Investigim” boton një speciale me histori të trishtuar.

Ekuipazhi i anijes “Oceanic” (flamuri i Dominikës, menaxher “Fulcher Ltd”, IMO 7927714) iu lut biznesmenit dhe kandidatit për president të Rusisë Mihail Prohorov t’i ndihmojë të marrin 140.000 dollarë që u ka borxh armatori (pronari i anijes). Për këtë flitet në njoftimin e 17 shkurtit 2012 të SUR-it (Seafarers Union of Russia – Bashkimi i Marinarëve Profesionistë të Rusisë). Marinarët kanë dërguar një një letër të hapur Prohorovit. Ekuipazhi përbëhet nga tetë veta: 6 rusë dhe 2 ukrainas. “Investigim”-i kontaktoi të mërkurën, më 29 shkurt, me kapitenin e kapitanerisë së portit të Durrësit, Hysni Aruçi, i cili konfirmoi se anija “Oceanic” ndodhej ende në radën e jashtme në pritje të zgjidhjes së problemit të pagave të prapambetura.

ISH-BLLOKU LINDOR

Po përtej anës sensacionale, del në pah fakti i trishtueshëm që marinarët e vendeve ish-komuniste trajtohen keq. Kështu, ka ndodhur me ata shqiptarë. Para disa ditësh me marinarë malazez që punonin me një traget të një shoqërie shqiptare nga Durrësi. E keqja është se në Shqipëri nuk ka përfaqësi të ITF-së (The International Transport Workers’ Federation – Federata Ndërkombëtare e Punonjësve të Transportit), që do të mbronte interesat e marinarëve të vendeve të bllokut lindor. Dhe më e keqja, detet e Zi, Mesdhe dhe Adriatik konsiderohen nga sindikatat detare të huaja si “vrima e zezë”. Ka mistere për vendin e regjistrimit të anijes në Karaibe, pabesinë e kompanisë menaxhuese që përgatitet të shesë anijen, kur marinarëve u ka borxh 140 mijë dollarë.

Po botojmë njoftimin e Bashkimit të Marinarëve Profesionistë të Rusisë, fakt që ka gjetur jehonë të madhe në shtypin rus dhe ukrainas.

“XHAXHI, MË JEP 10 QINDARKA!”

“Xhaxhi, më jep 10 qindarka!” Është interesante se çfarë përgjigje do t’i jepte një kërkesë të tillë miliarderi Mihail Prohorov, të cilit kohët e fundit iu dërgua një letër nga ekuipazhit i anijes “Oceanic”? Në të vërtetë, marinarët i luten t’u japë 140.000 dollarë. Por për ekuipazhin e  “Oceanic”-ut, të gozhduar në brigjet shqiptare, është paga e shtatë muajve, kurse për oligarkun-10 qindarka! “Xhaxhai” i tyre, njëfarë zotërie Dollgov, nuk nxiton fare t’u zgjidhë problemin, prandaj ekuipazhi filloi të trokasë në të gjitha dyert, duke përfshirë edhe në dyert e njerëzve shumë të pasur. Ndërkaq, lexoni letrën e hapur drejtuar kandidatit për president Federatës  Ruse Mihail Prohorov nga ekuipazhi i anijes “Oceanic” (flamuri i Dominikës, menaxher – “Fulcher Ltd”, IMO: 7927714):

LETRA

“I nderuari Mihail Dmitrijeviç, ekuipazhi i anijes “Oceanic” Ju lutet ta ndihmoni. Në fakt, me menaxhimin e kësaj anijes dhe kompletimin e ekuipazhit merret kompania ruse “Morskaja kompania” shpk, me adresë: 109428 qyteti i Moskës, Rjazanskij prospekt 39a, dhoma 6, tel. 8 (495) 785 3669, faks 8 (495) 988 4332, e-mail: f.shipping @ bk.ru, drejtor i përgjithshëm – Andrej Dollgov (8 (903) 102 9283). Ekuipazhi i anijes përbëhet nga tetë veta: gjashtë shtetas rusë dhe dy ukrainas.

Nga data 31 dhjetor 2011 dhe deri më sot (më 14 shkurt 2012, kur është nisur letra – “Investigim”) “Oceanic” ndodhet në brigjet e Shqipërisë në radën e portit të Durrësit. Në bordin e anijes mungon karburanti dhe, për rrjedhojë, nuk ka energji elektrike, kanë mbaruar rezervat e ujit të pijshëm, po mbarojnë edhe rezervat e ushqimeve. Të gjithë pjesëtarët e ekuipazhit, në përputhje të plotë me kontratat e punës, i kanë kryer detyrimet e tyre, por stafi drejtues i kompanisë, pavarësisht nga lutjet dhe kërkesat e drejtuesve të anijes, prej më shumë se shtatë (7) muajsh nuk paguajnë rrogat dhe nuk ndërmerr asnjë veprim për riatdhesimin e ekuipazhit. Pagat e prapambetura arrijnë në më shumë se 140,000 dollarë  amerikanë.

Ju lutemi, si kandidat për President të Federatës Ruse si dhe një person me shumë ndikim në publikun e gjerë, të ndihmoni dhe për të bashkëveproni në zgjidhjen e problemeve tona. Letrat tona drejtuar Qeverisë Ruse, Prokurorisë së Përgjithshme të Rusisë, komitetit hetimor të  Prokurorisë së Përgjithshme të Rusisë, redaksisë së “ORT” TV, redaksisë së gazetës “AiF”, Federatës Ndërkombëtare të Punëtorëve të Transportit (ITF) nuk kanë dhënë rezultat.

Është krijuar përshtypja se marinarët rusë nuk janë aspak të mbrojtur me ligj nga arbitrariteti i punëdhënësi, për më tepër jemi ballafaquar me indiferencën e administratës shtetërore. Shpresojmë se Ju do të ndihmoni në zgjidhjen e problemeve tona.

Me nderime, ekuipazhi i anijes “Oceanic”.

14.02.2012”.

 

HISTORIA

Ja ç’ka ndodhur sipas SUR-it

Asnjë pjesëtar i ekuipazhit të “Oceanic” nuk është anëtar i SUR-it (Seafarers Union of Russia – Bashkimi i marinarëve profesionistë të Rusisë), kurse anija nuk punon në bazë të marrëveshjes kolektive të ITF-së (The International Transport Workers’ Federation – Federata Ndërkombëtare e Punonjësve të Transportit).

REFUZIMI

Në të vërtetë, në fund të nëntorit 2011, kur anija ndodhej në portin e Rostovit-mbi-Don, ekuipazhi i “Oceanic” për herë të parë iu drejtua inspektoratit rus të ITF-së. Në atë moment, përfundonin kontratat e marinarëve, kurse borxhet e akumuluara për pesë muaj, arrinin në rreth 100.000 dollarë! Megjithatë, për aq kohë pa marrë paratë dhe duke pasur shanse reale për të arrestuar anijen në Rusi, ekuipazhi nuk ka pranuar në mënyrë të prerë propozimin e inspektorit të ITF-së për të vizituar anijen me qëllim kontrolli, dhe parapëlqeu të bënte një rrugë… në Shqipëri! Megjithatë, pavarësisht nga fakti se marinarët e “Oceanic” nuk janë anëtarë të SUR-it dhe nuk mbrohen me marrëveshje kolektive të ITF-së, inspektorati federal rus është në kontakt të vazhdueshëm me Andrej Dollgovin dhe përpiqet të zgjidhë konfliktin e punës.

ARMATORI

Nga ana tjetër, z Dollgov mohon plotësisht faktin e pranisë së borxhit në bordin e anijes edhe për më tepër – thotë se pronari i anijes u paguan rregullisht rrogat marinarëve! Për fat të keq, inspektorati i ITF-së nuk mundet të verifikojë se kush ka të drejtë dhe kush ka faj, sepse anija qëndron në radën e portit të Durrësit. Inspektorati rus nuk sheh shkaqe për të mos u besuar marinarëve të mjerë dhe vazhdon të kërkojë të vërtetën nga Andrej Dollgovi.

SHQIPËRIA

Duhet vënë në dukje se Federata Ndërkombëtare e Punëtorëve të Transportit nuk ka inspektorë në Shqipëri, madje edhe nëse do të ishin atje, është e pamundur të vizitojnë anijen. Kjo do të thotë se sindikata nuk leva ndikimi mbi armatorin, anija problematike e të cilit ka hedhur spirancën në brigjet shqiptare.

“VRIMË E ZEZË”

Meqë ra fjala, rajoni ku ai punonte “Oceanic” – portet e Detit të Zi dhe të Mesdheut – në qarqet sindikale njihet më tepër si “vrimë e zezë”. Së pari, sepse marinarët shpesh rroga poshtëruese  (shumë më të ulëta se tarifat e caktuara nga ITF-ja dhe ILO- International Labour Organization –  Organizata Botërore e Punës). Së dyti, vetë anijet janë në gjendje të tmerrshme teknike. Dhe së treti, armatorët refuzojnë me qetësi të zbatojnë detyrimet e tyre për të garantuar sigurinë e marinarëve.

Po në qoftë se detarët do të bllokoheshin në Antarktidë, mos vallë do t’u drejtoheshin pinguinëve?

 PËRKIMI

Më 14 shkurt, letra e ekuipazhit dhe njoftimi për shitje të “Oceanic”

Ka një përkim domethënës ngjarjesh: Pikërisht, më 14 shkurt 2012, kur nga rada e portit të Durrësit ekuipazhi i anijes së transportit të mallrave “Oceanic” i bënte një letër të hapur kandidatit për President të Rusisë dhe miliarderit Mihail Prohorov për 140 mijë dollarë rroga të prapambetura, menaxheri i anijes bënte njoftim në internet për shitjen e anijes. Sipas Bashkimit të Marinarëve Profesionistë të Rusisë, drejtori përgjithshëm i kompanisë “Morskaja kompania” shpk , “z Dollgov mohon plotësisht faktin e pranisë së borxhit në bordin e anijes edhe për më tepër – thotë se pronari i anijes u paguan rregullisht rrogat marinarëve! Për fat të keq, inspektorati i ITF-së nuk mundet të verifikojë se kush ka të drejtë dhe kush ka faj, sepse anija qëndron në radën e portit të Durrësit. Inspektorati rus nuk sheh shkaqe për të mos u besuar marinarëve të mjerë dhe vazhdon të kërkojë të vërtetën nga Andrej Dollgovi”.

Mihail Prohorov

Mihail Dmitrieviç Prohorov, i lindur me 3 maj 1965, është miliarder rus dhe pronar i ekipit amerikan të basketbollit “New Jersey Nets”. Pas diplomimit nga Instituti i Financave i Moskës punoi në sektorin financiar dhe u bë një nga industrialistët kryesorë të Rusisë në sektorin e metaleve të çmuara. Nën drejtimin e tij “Norilsk Nickel” është kompania prodhuese më e madhe në botë e nikelit dhe paladiumit. Ka qenë president  i “Poljus Gold”, prodhuesi më i madh i arit në Eusi, dhe ish-presidenti i Grupit ONEXIM. Ai dha dorëheqjen nga të dy postet, kur ai hyri në politikë në qershor 2011.

Në dhjetor 2011, Prohorovi bëri bujë me deklaratën dhjetorit 2011 kur njoftoi se do të kandidojë si i pavarur në zgjedhjet presidenciale të 4 marsit 2012. Kryeministri rus dhe ish-presidenti Vladimir Putin ishte favorit në garën në kohën e shpalljes së kandidaturës së Prohorovit.

Ai është njeriu i tretë më i pasur në Rusi dhe i 32 në botë sipas listimit për vitin 2011 të revistës “Forbes” me një pasuri që vlerësohet në 18 miliardë dollarë.

 CV e “Oceanic”

 Lloji i anijes: mallrash

Viti i ndërtimit: 1982, Scheepswerf Van Rupelmonde, Belgjikë

Gjatësi x Gjerësi: 88 m x 12 m

Tonazhi bruto: 1859, Deadweight: 2650 t

Shpejtësia e ​​regjistruar (Max / mesatare): 8,5 / 7,5 nyje

Flamuri: Komonuelthi i Dominikës

Shenja e thirrjes: J7BN7

IMO: 7927714, MMSI: 325432000

Koordinatat në Durrës më 25 shkurt 2012, ora 16:14:

Gjerësi / Gjatësi 41.29078 / 19.48238

Pronari i regjistruar: FULCHER ASSETS LTD

Adresa: Ishujt Kajmen

Menaxheri i anijes: FULCHER SHIPPING LTD

Telefoni: +7-095-973-0186

Fax: +7-095-972-4337

Email: f.shipping @ bk.ru

Adresa: Zyra 24, Ndërtesa 2, shtëpia 38/23, 21 Rr. Nikolojamskaja.

Qyteti: Moska

Kodi postar : 109004

Ishujt Kajmen

Ishujt Kajmen janë një Territor Britanik i Përtejdetit në detin e Karaibeve perëndimore. Përbëhet nga tre ishuj në jug të Kubës dhe veriperëndim të Xhamajkës. qendër e madhe botërore financiare offshore. Ka më shumë biznese të regjistruara se sa popullsi (rreth 55,700 banorë). Marina tregtare ka gjithsej 123 anije: nga këto 22 për mallra të derdhura, 5 mallrash të përgjithshme, 31 cisterna për mallra kimike, 2 anije për konteinerë, 1 anije gazi të lëngëzuar, 21 cisterna nafte, 35 anije frigoriferike, 5 tragete roll on / roll off , 1 cisternë e specializuar. Anije me pronësi të huaj: Greqia 15, SHBA 5, Britania e Madhe 5, Qipro 2, Danimarka 2, Norvegjia 3.

Komonuelthi i Dominikës

Dominica, ndodhet në rajonin e Antileve të Vogla të Karaibeve, në jug-juglindje të Guadelupës dhe veriperëndim të Martinikës. Ka një popullsi prej 72,500. Në vitin 1978 shpalli pavarësinë. Marina tregtare ka gjithsej 40 anije. Sipas llojit: 11 anije mallrash të derdhura, 20 mallrash të përgjithshme, 2 cisterna mallrash kimike, 4 cisterna nafte, 2 anije frigoriferike, 1 traget roll on / roll off. Me pronësi të huaj: 37 (1 Australia, 6 Estonia, 2 Gjermania, 9 Greqia, 2 India, 1 Letonia, 1 Norvegjia, 6 Rusia, 3 Arabia Saudite, 1 Singapori, 2 Siria, 1 Turqia, 2 Ukraina). Anije të regjistruara në vendet e tjera : 1 (Shën Vincenti dhe Grenadinet).

                                                                                                      Marrë nga gazeta-lajmi.info