Shqiptarët ndër vite, histori sakrificash dhe suksesi

“Këpucët me gozhdë” të futbollistëve shqiptarë kanë lënë gjurmë në fushat e blerta të mbarë botës. Nga legjendarët e viteve ’40 deri te brezi i fundit i sportistëve që kanë qenë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë.

Heqja e vizave drejt vendeve të Bashkimit Europian  konsiderohet si një moment kulmor në historinë post-moderne të vendit tonë, një mundësi që rikthehet pas 70 vitesh. Shumë futbollistë të talentuar shqiptarë, përfshirë këtu emra të kalibrit ndërkombëtar si Panajot Pano apo Medin Zhega, Zihni Gjinali apo Pal Mirashi, Qemal Teliti apo Besim Fagu, Miço Papadhopulli apo Sulejman Maliqati, Refik Resmja apo Fatmir Frashëri, Nuri Byluku apo Pavllo Bukoviku, Sabah Bizi apo Astrit Hafizi, Safet Berisha apo Muhedin Targaj, Ilir Lame apo Vasillaq Zëri, Ilir Përnska apo Dashnor Bajaziti, Millan Vaso apo Luan Vukatana, Agim Murati apo Shyqyri Ballgjini, do ta kishin shumë të lehtë të penetronin në skuadrat e huaja europiane të çfarëdo niveli, dhe ofertat nuk kishin munguar për ta, por mungesa e mundësive për shkak të gjeopolitikës izoluese të aplikuar nga regjimi komunist, ku nuk lejoheshin transferimet e lojtarëve në kampionatet e huaja. Pas viteve 1990 transferimet e lojtarëve u lejuan, por rropatja para ambasadave për të siguruar një vizë hyrëse drejt shtetit ku ai do të testohej ka qenë një kalvar i vërtetë. Tashmë dhe kjo pengesë ka marrë fund.

Legjendat në vite

Të gjithë i kanë konsideruar sportistët si ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë. Udhëtimi i tyre nis para viteve 1940, ku në Itali gjejmë emrat e disa prej lojtarëve më të mëdhenj shqiptarë, si Naim Kryeziu, kampioni legjendar i Romës, Riza Lushta me Juventusin e Napolin, apo Loro Boriçi me Lacion. E gjurmë të tyre janë dhe në Turqi, me Vasfi Samimin dhe Qemal Omarin. Gjatë 20 viteve të demokracisë, në opinionin sportiv shqiptar është shtruar jo pak herë pyetja se çfarë mund të bënin me magjitë e tyre lojtarë të kalibrit të tillë si Panajot Pano apo Medin Zhega nëse do të luanin jashtë Shqipërisë. Por në të ashtuqujtur “listë e keqe” ndodhen edhe lojtarët që nuk janë pajtuar me regjimin komunist e janë arratisur jashtë atdheut, duke sfiduar kohën, pavarësisht përndjekjeve të familjeve të tyre, të tillë si arratisjet e lojtarëve si Bule Vathi e Bahri Kavaja në vitin 1950, Qemal Voglit në vitin 1956, Lulzim Bërshemit dhe Arvid Hoxhës në vitin 1987 e deri te Rudi Vata në vitin fillim të viteve 1990 që u largua pas ndeshjes Francë-Shqipëri, e ku nga ekipi Kombëtar shqiptar i asaj kohe u arratisën pesë lojtarë.

Lorik Cana

Të ndërmarrësh një udhëtim për të ndjekur të paktën një ndeshje të futbollistëve që luajnë jashtë Shqipërisë, apo të marrësh edhe një opinion formal të drejtuesve të klubeve ku ata kanë luajtur më parë, duhet të ndërtosh një itinerar të mirëpërcaktuar deri në detaje, pasi të duhet të prekësh një numër jo të vogël shtetesh dhe të dhjetëfishuar qytetesh. Mesfushori i Gallatasarajit dhe ylli i Kombëtares shgiptare, Lorik Cana, në fund të dhjetorit të vitit 2008 u dekorua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me Urdhrin “Ambasador i kombit”, teksa më parë është përzgjedhur nga UNICEF-i edhe ambasador i kësaj organizate, ku këtë status e gëzojnë emra të elitës botërore si Kaka, Ronaldinjo, Andrij Shevçenko, Ronaldo, Zinedin Zidan etj. Në tetor të këtij viti, Loriku, u bë dhe ambasadori i parë i linjës “Alo 116”, ose më saktë i shoqatës që mbron të drejtat e fëmijëve, ku si ambasadore është përzgjedhur kryetarja e Kuvendit Popullor, Jozefina Topalli.

“Ambasadorët” shqiptarë

Portieri veteran i Kombëtares shqiptare, Arjan Beqaj, aktualisht te Olimpiakosi i Nikosias, u shpall portieri më i mirë në kampionatin qipriot të vitit 2008 (çmim të cilin e fitoi për të dytin vit rresht). Igli Tare u emërua nga presidenti Klaudio Lotito në detyrën e lartë drejtor Sportiv i klubit të Lacios, i pesti për nga rëndësia në Itali, një detyrë që Tare po e kryen me efektivitet duke u shndërruar në një personalitet të respektuar në botën e futbollit italian dhe një nga kampionatet më të forta në botë. Historia sportive e “legjionarit” Igli Tare nis nga Tirana, për të vazhduar në Gjermani (me pesë skuadra të ndryshme) dhe për të varur “këpucët në gozhdë” në Itali, ku veshi fanellën e tri skuadrave: Breshia, Bolonja dhe Lacio. Nëse këtë do ta ndanim gjeografikisht, pa dyshim që Europa zë “pjesën e luanit”, por “avioni” do të ndalojë edhe në Azinë e Largët, në Japoni e Kinë, por dhe në Azerbajxhan e Kazakistan. “Këpucët me thumba” të futbollistëve shqiptarë kanë lënë gjurmë në të gjithë botën: nga Italia në Norvegji; nga Gjermania në Japoni; nga Ukraina në Kinë; nga Bullgaria në Kazakistan; nga Izraeli në Azerbajxhan; nga Franca në Zvicër; nga Sllovenia në Spanjë, nga Portugalia në Qipro; nga Greqia në Rumani; nga Malta në Austri; nga Turqia në Kroaci, nga Rusia në Arabinë Saudite. Dikur, në fillim të viteve 1990, ishte Greqia (për shkak të afërsisë gjeografike) vendi më i madh mikpritës i futbollistëve shqiptarë, por tashmë, në fillim të vitit 2009, pra gati 20 vjet më pas, është Gjermania ajo që numëron disa futbollistë shqiptarë, që luajnë në nivel të lartë nga Bundesliga 1 te ajo 3, pa përmendur një duzinë në kategoritë inferiore e futbollin amator. Italia mbetet një tjetër bastion i preferuar, ashtu si Austria, Turqia, Qipro, por dhe Azerbajxhani. Janë të shumtë, por gjithsesi më të paktë se futbollistët që luajnë aktualisht në Europë. Gjithsesi, janë të lavdishëm dhe kanë meritën se krijuan emrin e madh që vazhdon të hapë dyert e futbollistëve shqiptarë në klubet më të njohura të kontinentit tonë. Foto Strakosha në Greqi, Lefter Millo në Greqi, Rudi Vata në Skoci, Sulejman Demollari në Rumani, Kliton Bozgo në Slloveni, Ylli Shehu në Kroaci, Igli Tare në Itali, Altin Rraklli në Gjermani, Eduard Abazi në Portugali, Edvin Murati në Francë e Greqi, Besnik Hasi në Belgjikë (sot Hasi luan roli e zëvendëstrajnerit të Anderlehti), të gjithë këta edhe sot e kësaj dite kujtohen si futbollistë cilësorë dhe të respektuar.

Vlerësimet

Ia vlen të pranojmë, të paktën sipas parametrave tanë, se dhe Shqipëria ka yjet e saj në disa prej kampionateve më të forta në botë. Një emër shumë i vlerësuar është edhe Altin Lala, ish-kapiten dhe lojtari më besnik i Hanoverit të Bundesligës 1 gjermane, i vetmi shqiptar që luanë në këtë kategori, duke përjashtuar kosovari me pasaportë zvicerane, Albert Bunjakun e Nurembergut. Gjithsesi, në Gjermani  me respekt flitet edhe për Ervin Skelën, “brazilianin” shqiptar të goditjeve të lira, por konsiderata pozitive kanë merituar edhe Edmond Kapllani te Padeborni dhe Besart Berisha te Arminia Bielfeldi. Veterani Skerdilajd Curri te Erzgebirge Aue është një tjetër shembull i mirë, ashuti siç kanë qenë edhe Fatmir Vata dhe Ervin Fakaj. Mediat ukrainase gjithmonë gjenden në “pritë” për t’i marrë një intervistë  Armend Dallkut, Ahmed Jonuzit, por dhe Parid Xhihanit. Lorik Cana, lojtari më i shtrenjtë shqiptar, luan në Turqi në një prej ekipeve më të mëdha të këtij vendi, Gallatasaraji të Stambollit. Në Turqi, aty ky dikur ka luajtur edhe Vioresin Sinani, Klodian Duro, Alban Bushi, Redi Jupi, tani japin kontributin e tyre te Genshlerbirlixhi edhe Debatik Curri, Labinot Harbuzi dhe talenti Bekim Balaj, por dhe Gilman Lika. Në Austri, Shqipëria ka 2 përfaqësues të spikatur të saj, Hamdi Salihin te Rapidi i Vjenës dhe Klodian Duron te Lask Linci. Te Rapidi luan edhe kosovari Atdhe Nuhiu. Në Arabinë Saudite luan sulmuesi i njohur Migen Memelli, me skaudrën Al-Fajsali, ku pogradecari është dhe shënuesi më i mirë i ekipit. Edhe ish-futbollisti i njohur shkodran Hysen Zmijani, ka luajtur me Al-Nasr Ryadh, në Arabinë Saudite, madje ka dalë kampion me këtë skuadër. Në Kroaci janë Arbër Abialiaj dhe Xhevair Sukaj, ndërkohë që më parë kanë luajtur Devi Muka, Ylli Shehu, Edmond Dosti. Portën e ekipeve të ndryshme europiane e kanë mbrojtur edhe Foto Strakosha (me disa ekipe në Greqi), Perlat Musta e Ilir Bozhiqi në Rumani, Lulian Gjeloshi në Angli (Hendon FC), Mario Cenolli në Angli, SHBA dhe Kanada, apo edhe Arben Kasolli me disa skuadra në Greqi e Holandë, teksa arriti të ishte edhe portieri i tretë i Ajaksit. Në kampionatet e huaja kanë luajtur edhe Isli Hidi (Ukrainë dhe Qipro), Ilion Lika (Rusi), e aktualisht jashtë luajnë Arjan Beqaj (Qipro) dhe Samir Ujkani (Itali). “Këpucët” shqiptare nuk kanë mbetur pa lënë gjurmë edhe në Azebarxhan, Kazakistan, Kinë apo dhe Japoninë e largët. Në Azerbajxhan mbrojtësi i Kombëtares, Admir Teli me Karabakun, skuadër me të cilën luan edhe Ansi Agolli, i huazuar nga ukrainasit e Krivbasit. Edhe në tokën hebraike Shqipëria pati përfaqësuesin e saj “diplomatik”. Mbrojtësi i Vllaznisë e i Kombëtares shqiptare, Elvin Beqiri, i cili tani luan në Azerbajxhan me Khazar Lankaran, u transferua nga Metallurg Donetsk (Ukrainë) te Maccabi Haifa (Izrael). Rudi Vata, një nga kapitenët legjendarë të Shqipërisë, pas përvojës unike në klubin më të famshëm skocez, Sëlltikun e Gllazgout, ka luajtur në Japoni, ndërkohë që mbrojtësi aktual i Elbasanit, Nevil Dede, të vetmen përvojë ndërkombëtare e ka në Kinë me Shenyang Ginde. Në Kazakistan ka luajtur dhe ish-lojtari i Dajtit, Driton Stafsula.

                                                                                                                 Marrë nga gazeta-lajmi.info