TIRANË– Nga Brukseli ku mori pjesë në punimet e Samitit të zgjeruar të Partive Popullore Europiane, Kryeministri Berisha theksoi se KE kërkon ende votimin e 3 ligjeve që sipas tij mbahen peng nga kryesocialisti, Edi Rama. 

“Sic dihet Shqipëria, Komisioni Europian ka bërë një raport pozitiv, por ka përcaktuar votimin e tri ligjeve si një detyrim në mënyrë që ti bëjë rekomandimin përfundimtar Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian. Këto tre ligje janë mbajtur dhe mbahen peng nga kryetari i opozitës, i cili beson se duke bllokuar statusin për shqiptarët dëmton qeverinë dhe bën një kalkulim shumë shumë të gabuar. E vërteta është se shqiptarët kanë të gjithë fuqinë, potencialin për të shembur cdo mur. Sic rrëzuan murin e bashkisë, sic rrëzuan ‘murin e Berlinit’ dhe e festuan, tani do të rrëzojnë edhe murin bllokimit të zotit Rama”. 

Nga Brukseli ai ka deklaruar se në takimin me liderët e PPE-së ka folur edhe për “albanofobinë”. Nga ana tjetër ka nënvizuar se i mbetet idesë për bashkimin e shqiptarëve në një proces të njëkohshme me integrimin në BE.

“Në takimet që pata me kolegët e mi i njoha ata me të gjitha zhvillimet, me situatën në rajon, e cila me gjithë përparimin e njohur sërish vuan nga albanofobia, një faktor ky i dëmshëm për bashkëpunimin dhe klimën bashkëpunuese në rajon. Albanofobia është një qëndrim që i ka rrënjët në padrejtësitë më të mëdha të bëra ndaj shqiptarëve dhe më pas përpjekja për ti legjitimuar këto padrejtësi në forma nga më të ndryshmet”, ka thënë Berisha.