PHENIAN – Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka dënuar lansimin e raketës nga ana e Koresë Veriore, disa orë pasi ky vend i izoluar e shkeli të drejtën ndërkombëtare dhe sanksionet e OKB-së, duke e lansuar atë që Pheniani thotë se është satelit meteorologjik në orbitë, transmeton REL. Duke folur pas takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që ishte i karakterit të mbyllur, kryesuesi aktual, Mohammed Loulichk, ambasador i Marokut, u tha reporterëve se lansimi “ishte qartas shkelje e rezolutave të këshillit” dhe se Këshilli i Sigurimit do t’i vazhdoj konsultimet për “një përgjigjje përkatëse”.
Ambasadori francez, Gerard Araud, u tha gazetarëve jashtë Këshillit të Sigurimit, se ndonjë rezolutë mund të jetë hap i ardhshëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Diplomatët u thanë gazetarëve, mbrëmë vonë, se Kina nuk do ta mbështeste ndonjë rezolutë.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, në një kumtesë të djeshme ka shprehur “keqardhje” për lëvizjen e fundit të Koresë Veriore, me të cilën shkelen sanksionet e Kombeve të Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara, Koreja Jugore dhe Japonia, thonë se lansimi i raketës është provë në zhvillimin e teknologjisë bërthamore.