TIRANË- Ndryshimet klimatike paraqesin një sfidë kritike për zhvillim, që kërkon marrjen e veprimeve drejt një rruge më të qëndrueshme të rritjes ekonomike, u shpreh sot ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Fatmir Mediu. 

Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan sot në mjediset e MMPAU një memorandum bashkëpunimi që do të mundësojë bashkëpunimin në planifikimin dhe zbatimin e strategjive së shkarkimeve të ulëta për Shqipërinë (EC-LEDS). "Memorandumi do të ndihmojë në zvogëlimin e shkarkimeve të gazeve serë në sektorë të ndryshëm, ndërkohë që kontribuon për rritjen ekonomike të vendit", tha Mediu, pas nënshkrimit të marrëveshjes. Sipas tij, memorandumi nis efektet e saj juridike pas datës së firmosjes për të vazhduar punën deri në fund të vitit 2014. 

Fushat kryesore të bashkëpunimit, në kuadër të këtij Memorandumi, sipas Mediut, janë rritja e kapaciteteve për të planifikuar dhe zhvilluar një strategji, duke synuar përmirësimin e Sistemit Kombëtar të Inventarit për Emetimet e Gazeve me Efekt Serrë. Gjithashtu, integrimi i kësaj strategjie në sistemet ekzistuese të planifikimit qeveritar dhe përmirësimin e kapaciteteve kombëtare për të përdorur mjete planifikimi strategjike në mbështetje të saj, është një tjetër aspekt i memorandumit. Një ndër pikat e tij është dhe ndërtimi ndërtimi i një baze njohurish për të kontribuar në Partneritetin Global te LEDS. 

Shqipëria i bashkohet kështu vendeve të tjera të rajonit, Maqedonisë, Moldavisë dhe Serbisë, duke krijuar hapësira të reja për bashkëpunimin dhe shkëmbimet rajonale në kuadër të ndryshimeve klimatike dhe LEDS. 

Shqipëria ka pranuar Marrëveshjen e Kopenhagenit në Janar 2010, në të cilën është theksuar që strategjitë e zhvillimit me emetime të ulëta janë të domosdoshme për një zhvillim të qëndrueshëm pas Marrëveshjes së Kopenhagenit. 

Qeveria e Shteteve të Bashkuara (USG) nisi iniciativën e EC-LEDS me synimin e sigurimit të asistencës dhe eskpertizës së specializuar për të mbështetur përpjekjet e vendeve në zhvillim drejt zhvillimeve transformuese afatgjata dhe të përshpejtojë rritjen drejt nje ekonomie të qëndrueshme për klimën, duke ngadalësuar rritjen e emetimeve të gazeve me efekt serrë (GHG).