TIRANE – Në takimin që Partia Demokratike organizoi në Pallatin e Kongreseve me rastin e 22-vjetorit të krijimit të saj, lideri historik i kësaj force politike, Sali Berisha, tha gjatë fjalës së rastit se demokratët janë sot, forca politike kryesore e vendit, forcë e proceseve të zhvillimit dhe mbi të gjitha e besimit të të rinjve. 

Ndërsa bëri një të 22 viteve të ekzistencës së kësaj force politike, kryeministri Berisha u bëri apel shqiptarëve ta votojnë në zgjedhjet e ardhshme këtë parti, pasi ajo është partia e integrimit. 

“Mandati i ardhshëm është mandati i Shqipërisë së zhvilluar. Ne jemi ndryshimi sepse në këto vite të krizës më të thellë që Europa dhe bota ka njohur në 90 vitet e fundit, me mundin dhe djersën, sakrificën, qëndruam si Davidi para Goliathit dhe sot ekonomia shqiptare ka rritje katër herë më të madhe se ajo rajonale. Shqipëria është vendi i vetëm që ka shumëfishuar pagat, ka shumëfishuar investimet e huaja. Shqipëria dixhitale është mosha juaj. Ne jemi ndryshimi. Ne do të shembim murin e bllokimit. Vota e 23 Qershorit është votë e integrimit, votë për të ardhmen, votë për zhvillimin”,- tha kryeministri. 

Festimet e 22-vjetorit nisën me një reportazh ku tregoheshin arritjet e Partisë Demokratike, që nga themelimi, ardhja në pushtet, rrëzimi në ’97-ën e deri tek ardhja në pushtet në 2005, anëtarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave.