TIRANË – Kreshnik Spahiu ka fajësuar dy partitë e mëdha për mosmarrjen për herë të tretë të statusit të vendit kandidat për BE. Në të njëjtën kohë kreu i Aleancës Kuqezi ka theksuar se PD dhe PS janë përgjegjëse për rradhitjen e Shqipërisë në listën e vendeve me kriminalitet dhe korrupsion të lartë. 

“Europa i tha jo Shqipërisë, duke lënë kombin më të vjetër të kontinentit jashtë dyerve të BE-së. Ky është fundi i tranzicionit shqiptar që sot përkon me 22 dhjetorin e themelimit të PD-së që hyri në skenën politike me sloganin “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa. 22 vite demokratët dhe socialistët rreshtuan Shqipërinë të parën në trafiqe dhe korrupsion dhe të fundit në arritje institucionale. Demokratët dhe socialistët të dështuar në qeverisjen e tyre na lanë pas serbëve, malazezëve dhe populli duhet ti ndëshkojë këta politikanë”,- deklaroi Spahiu në një aktivitet të AK-së në Tiranë. 

Duke u ndalur tek rritja e kufirit të borxhit publik Spahiu ka akuzuar qeverinë për këtë të paprecedentë siç e cilësoi ai.  

“Sot Shqipëria ka kaluar çdo kufi të borxhit. As Shqipëria e Hoxhës dhe as e Ramiz Alisë, as e Meksit, Nanos dhe as e Majkos, asnjë qeveri nuk e la shtetin shqiptar në këtë borxhe”,- theksoi Spahiu, i cili akuzoi kryeministrin Berisha se ishte ai që solli firmat piramidale dhe sot po rrënon vendin me korrupsion dhe krim.