TIRANË – Në ditën e 22 vjetorit të krijimit të PD-së kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur rrjetin social Facebook për të uruar anëtarësinë e kësaj partie. Në mesazhin e tij, kreu i PD-së kujton ato ditë të dhjetorit të vitit 1990 kur së bashku me Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon etj vendosën për themelimin e forcës së aprë opozitare në vendin tonë.  

“Sot kremtojmë 22 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike. Po bëhesha gati të shkruaja një status për këtë ngjarje dhe më erdhi në mënd ajo natë e ftohtë e 11 Dhjetorit 90 kur së bashku me një grup studentësh e intelektualësh, Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon etj, diskutuam dhe vendosëm themelimin e pluralizmit politik njëherazi dhe PD-në si forcë e parë opozitare të vërtetë të vendit. Themelimi i

 PD-së mund të quhet dita e shpëtimit dhe e shpresës së madhe, dita e rilindjes së vërtetë të dytë kombëtare sepse Partia Demokratike u themelua si parti e lirive dhe të drejtave njerëzore në vendin ku ato ishin të ndaluara me Kushtetutë, e vokacionit perendimor dhe integrimit Euro – Atlantik dhe Evropian të saj, si parti e interesit kombëtar dhe çështjes shqiptare”,- shkruan Berisha.

Duke u ndalur tek ëndrra e vjetër e shqiptarëve për të udhëtuar drejt Europës, për të gëzuar lirinë e shprehjes dhe të mendimit Berisha tha se sot ajo që në atë kohë ishte utopi sot është realitet I prekshëm.

“Asokohe ky vizion dukej thjesht një utopi, mbasi vendi kishte përjetuar izolimin më të thellë, mjerimin më të madh. Shqiptarët jashtë Shqipërie në Rajon përjetonin pushtimin më të egër. Por sot, pas 22 vitesh, ëndrra e tyre, e një shoqërie të lirë, e shqiptarëve të lire kudo që ata jetojnë, e antarësimit në NATO, është bërë e vërtetë. Kam bindjen se nuk do të vonojë së shndërruari në realitet edhe shembja e murit të bllokimit dhe avancimit të madh të integrimit evropian”,- shkruan Berisha në Facebook.