Ndërsa mungon atmosfera festive në qytet, mangësi në këtë drejtim shihen edhe nëpër dyqanet e suvenireve. Shumë prej këtyre dyqaneve ofrojnë shumë pak ose nuk ofrojnë fare objekte që mbartin logon e pavarësisë ose që të kenë ndonjë citim që të revokojë këtë datë. Përveç flamurit kombëtar, i cili është mëse i dallueshëm qoftë në ambientet e brendshme apo në produktet që reklamohen jashtë dyqaneve objektet e tjera me simbolikë kombëtare janë po ato me të cilat tashmë na është mësuar syri prej kohësh.
Ndërsa në vendet e huaja prodhohen një sërë objektesh që i kushtohen një date apo një ngjarje të caktuar (kujtojmë këtu morinë e objekteve të përgatitura me rastin e martesës së princit të Anglisë) shqiptarët duket se janë treguar indiferent ndaj këtij përvjetori të rëndësishëm të historisë së tyre. Dyqanet e suvenireve ofrojnë prodhime të ndryshme tradicionale shqiptare, të cilat janë shprehja më e mirë dhe më origjinale e kulturës së kombit tonë, por në asnjë prej tyre nuk ka ndonjë dedikim të veçantë për këtë 28 nëntor.
Ngado nga hedh sytë sheh punime në dru, në hekur, bakër, alabastër, në materiale të çmuara ari dhe argjendi, lëkure dhe leshi. Punimet artizanale veç të tjerash janë dëshmi edhe e identitetit kombëtar. Këto vlera, tashmë të kaluara brez pas brezi, ngjallin gjithnjë interes të madh tek vizitorët dhe studiuesit vendas dhe të huaj. Dyqani i suvenireve ka marrë ngjyrat kuq e zi, por ajo që të bie më shumë në sy është mungesa e objekteve me mbishkrime për këtë përvjetor jubilar.
Të gjithë do të dëshironim të kishim një kujtim ndryshe nga çdo vit që kemi festuar festën e pavarësisë. Por për fat të keq shitësi i dyqanit thotë se nuk do të ketë më furnizime, kjo dhe për faktin se festat janë në prag e përderisa nuk ka pasur kërkesë deri tani nuk pritet të ketë në ditët në vazhdim. Të vetmit që mund të tregojnë interes mund të jenë shtetasit kosovarë që do preferojnë ta festojnë 100 vjetorin e pavarësisë në Durrës.
I vetmi send që i është dedikuar kësaj date e që gjendet nëpër dyqanet e suvenirëve është një bluzë në ngjyrë të kuqe që ka të stampuar në të logon e këtij 100 vjetori dhe shkrimin 100 vjet pavarësi. Siç rrëfejnë vetë shitësit e suvenirëve kërkesa mjaft e ulët për këto objekte ka sjellë për pasojë mungesën e tyre nëpër dyqane.
Nga ana tjetër artizanati është në krizë dhe nuk ka preferuar të rrezikojë duke prodhuar suvenire kushtuar kësaj date, sepse pas kalimit të atmosferës së festës, asnjë blerës nuk do kujtohet më për to. Pronarët e dyqaneve tregojnë se suveniret më të preferuarat janë punimet artizanale me simbole kombëtare dhe motive shqiptare, të ndjekura nga qilimat e endur me dorë dhe bustet e figurave të njohura shqiptare.
Ato blihen më tepër nga emigrantët dhe shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe nga të huajt që vizitojnë vendin tonë. Ndërkohë durrsakët u drejtohen këtyre dyqaneve vetëm në rastet kur duan të bëjnë ndonjë dhuratë për jashtë shtetit apo për miq të huaj. Flamujt kuqezi, bluzat e kuqe me shqiponjën e zezë dykrenare, kostumet popullore, punimet prej bakri e druri, çantat, pikturat me pamjet e qyteteve shqiptare, shqiponjat, mbushin plot e përplot muret e dyqaneve.
Numri i artikujve artizanalë është i lartë, por sipas shitësve kërkesat për punimet artizanale kanë rënë ndjeshëm. Të pasionuarit e suvenirëve stepen për t'i blerë shpeshherë edhe nga çmimi. Shqiptarët duken se janë patriotë vetëm me fjalë, ndryshe nga bashkëkombasit tanë në Kosovë e Maqedoni, që ndoshta edhe për shkak të kushteve social politike ku kanë jetuar e kanë shumë më të theksuar ndjenjën kombëtare.
Pronarët e dyqaneve të suvenirëve nuk kanë dashur të rrezikojnë duke i qëndruar kështu besnik produkteve që tregtojnë tashmë prej shumë vitesh. Nga ana tjetër ata tregojnë se këto ditë janë shitur më shumë flamurë se zakonisht, megjithëse edhe për këtë produkt kërkesa nuk i ka justifikuar pritshmëritë. Gjithsesi ata shpresojnë se javën e ardhshme mund të ketë rritje të kërkesës meqë mjaft durrsakë kanë shprehur interes të zbukurojnë ballkonet e tyre me flamurin kombëtar.