Kreu i AK-së Kreshnik Spahiu ka akuzuar për tradhti kombëtare ministrin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera. Sipas Spahiut, ministri duhet të ndiqet penalisht, pasi ka tradhtuar interesat e kombit gjatë një takimi me partinë greke “Agimi i Artë”, ku ka deklaruar se po punon për të ashtuquajturin “Verioepir”.
“Ministri Spiro Ksera është kthyer në urën e shtetasit Sali Berisha me “Agimin e Artë”. Sot në qeveri janë tre ministra grekë dhe 13 ministra filogrekë. Këta shtetas që po cënojnë integritetin territorial të Shqipërisë dhe po përpiqen të asimilojnë kulturën dhe simbolet shqiptare duhet të përgjigjen përpara ligjit, dhe nëse ligji nuk do të veprojë atëherë do të jetë vetë populli që do t’i largojë ata me protesta. Skenari që po hartohet nga 3 ministrat grekë dhe 13 filogrekë dhe lidhjet e tyre me Agimin e Artë është ndër më të rrezikshmit që cënon paqen e të gjithë rajonit. Këta shtetas duhet të procedohet penalisht për tradhti kombëtare”,- deklaroi Spahiu gjatë një takimi në Korçë, me simpatizantë të AK-së.
Është e çuditshme që ky qëndrim mbahet nga një parti që nuk është as në Parlament, ndërsa një koalicion i tërë qeverisës dhe opozitar parlamentar e kalon në një heshtje fajtore një takim problematik të z. Ksera me qarqe anti-shqiptare e bën deklarata anti-kushtetuese.
Takimi i Kserës
Një ministër i qeverisë greke të Andonis Samaras, nuk do guxonte t’i jepte dorën një deputeti të “Agimit të Artë”. Partia neo-naziste greke, që aktualisht ka 21 vende në Parlament, i ka shpallur ata armiq, duke paralajmëruar madje se në rast të ardhjes në pushtet do t’i nxjerrë para një gjykate të posaçme për t’i burgosur e shpronësuar.
Ndryshe ndodh me ministrat e qeverisë shqiptare. Në 28 tetor 2012, në kishën e Bularatit, Spiro Ksera, anëtari i kabinetit Berisha, jo vetëm ka shtrënguar dorën me një nga deputetët e “Agimit të Artë” por ka zhvilluar me të edhe një takim të gjatë. Ka qenë pikërisht Kristo Papas, ligjvënësi neo-nazist më energjik që publikisht i ka kërcënuar me jetë emigrantët shqiptarë dhe që mbi varrin e të ndjerit, Aristotel Guma është betuar për çlirimin e Vorio-Epirit, siç e cilëson ai Jugun e Shqipërisë. Takimi Ksera-Papas, regjistrohet si skandali më i rëndë i një zyrtar të lartë të qeverisë, në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Takimi ka qenë sekret. Për t’i shpëtuar syrit të kureshtarëve palët kanë zgjedhur kishën e Bularatit. Ky ka qenë vendi më i sigurtë i menduar për shkak se pak kilometra prej andej Aleanca Kuq e Zi, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe Vetëvendosja kishin organizuar protesta për të penguar tubimin e neo-nazistëve grekë me rastin e zhvillimit të homazheve për ushtarët greke të rënë në territorin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Por nëse deri më sot ministri, Spiro Ksera e ka mbajtur “premtimin” për të mos ta bërë publik këtë takim, “tradhëtia” ka ndodhur nga miku i tij grek. Deputeti i “Agimit të Artë”, Kristo Papa i ka dhënë fund heshtjes duke publikuar jo vetëm foto të takimit me Kserën, por ka zbardhur edhe diskutimin që sipas tij është zhvilluar mes tyre.
Shqiptarët kanë gjetur dhe kanë bërë. Por një bandë e vogël syresh (referuar protestave të Aleancës KuqeZi, Klubit të Patriotëve të Rinj dhe Vetëvendosjes) nuk mund të na bëjnë ne presione në tokën e Vorio-Epirit. Ata janë bashkuar dhe janë bërë njësh. Po ju ç’po bëni për të mbrojtur interesat e vorio-epirotëve? Heshtni dhe doni të dialogoni me ta? Turp!”, – është shprehur mes të tjerash Papas në këtë takim.
“Me kë kujton se flet?! Keni ardhur këtu për herë të parë dhe doni të tregoni se jeni më hero se unë? Nëse për ju është hera e parë që vini këtu, unë kam vite që luftoj për të mbrojtur Vorio-Epirin! Tani jam me demokratët, ministër në qeveri dhe di t’i mbroj më mirë interesat e Vorio-Epirit”, – i është përgjigjur Ksera.