Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz deklaron qartë se pa përmbushjen e kritereve nuk ka anëtarësim në Bashkimin Europian. Në një intervistë për DW, Schulc shpjegon edhe një herë se përgjegjësia për realizimin e tyre rëndon më së pari mbi vendin kandidat. Më së pari, ai sqaron pozicionin e parlamentit mbi mundësinë e pezullimit të lirisë së qarkullimit pa viza.
“Me liberalizimin e vizave u vendos njëkohësisht edhe një mekanizëm mbikqyrjeje, për vlerësimin e zbatimit efektiv të të gjitha masave dhe reformave të marra në kuadër të dialogut për vizat. Nuk mund të flas para kohe për diskutimet që zhvillohen lidhur me këtë cështje. Ajo që mund të them është se për Parlamentin e BE-së liria
e vizave për qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimit në kuadër të integrimit europian është një nga përparësitë më të prekshme dhe një nxitje e qartë për të çuar përpara reformat në fushën e drejtësisë dhe rendit”, thotë Schulz.
Europarlamentari mendon se nuk është bërë sa duhet për të shmangur keqpërdorimin e liberalizimit të vizave.
“Në të vërtetë ka ende shumë për të bërë për t'i dhënë fund abuzimeve. Ndër të tjera duhet të intensifikohen përpjekjet për zbulimin e “trafikantëve” si agjenci udhëtimi apo sipërmarrje transporti si dhe kontrollet nga autoritetet kufitare gjatë daljes nga vendi. Por akoma më shumë sukses premtojnë, sipas mendimit tim fushatat e informimit dhe sensibilizimit në këto vende për të tërhequr vëmendjen mbi pasojat e shkeljes së rregullave”, thotë Schulz.
Zyrtari i lartë europian komentoi ndër të tjera edhe perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë, Maqedonisë e Serbisë.
“Raportet e Komisionerit për Zgjerimin Fyle, ishin pozitive si për Shqipërinë, Maqedoninë dhe Serbinë. Në këtë moment nuk e konsideroj me vend të spekuloj për kohën kur mund të bëhet anëtarësimi. Vendet e përmendura kanë perspektivë europiane, kjo kuptohet. Por e qartë është gjithashtu se për t'u anëtarësuar në BE duhet të përmbushen të gjitha kriteret e njohura dhe të njëjta për të si rendi demokratik dhe ai i shtetit ligjor, respektimi i të drejtave humanitare dhe civile, respektimi dhe mbrojtja e pakicave, një ekonomi tregu funksionuese si dhe pranimi e zbatimi i gjithë kuadrit ligjor të BE-së. Pa përmbushjen e këtyre kritereve nuk mund të ketë anëtarësim”, deklaron Schulz.