Arsyeja për bllokimin e statusit është vetë qeveria e Kryeministrit Sali Berisha. Qëndrimi i qeverisë holandeze konfirmon për qytetarët shqiptarë, shqetësimet që ka ngritur opozita për arsyet reale të bllokimit të statusit kandidat, të cilat nuk lidhen me opozitën, por me korrupsionin, çimentimin e pandëshkueshmërisë, krimin e organizuar që tanimë përbën kërcënim për të gjithë shoqërinë, sundimin e së drejtës dhe mbajtjen e zgjedhjeve ne përputhje me standardet ndërkombëtare.
Një pjesë e këtyre vendeve janë shprehur qartë para dhe pas publikimi të progres raportit. Sundimi i së drejtës është fjala themelore në progres raport dhe e shqetësimit të përbashkët që kanë vendet kryesore të BE-së. Shqipërisë nuk i janë vendosur kushte të reja. Shqipëria ka 12 prioritetet për t'i përmbushur në mënyrë të kënaqshme.
Këto 12 prioritete nuk janë përmbushur në mënyrë të kënaqshme, korrupsioni, krimi i organizuar, që janë dy elemente të lidhura me tre ligjet e pamiratuara ende, sepse propozimi i Komisionit Evropian nuk ka vetëm tre ligjet, por ka edhe raportin që KE do t'i bënte vendeve anëtare para vendimmarrjes së tyre në lidhje me ecurinë në fushën e korrupsionit dhe krimit te organizuar, këto janë çështje, që janë pjesë e 12 prioriteteve, nuk vijne si një rrufe në qiell të pastër për Shqipërinë.