Dikur, në qendër të Durrësit, ndodhej një "ishull" i blertë, i bukur, i quajtur "Lulishtja 1 Maji". Gjithë banorëve të vjetër të Durrësit u kujtohet me nostalgji ai vend i bukur në natyrë, i rrethuar me tavolina të shumta, ku përveç aromës së mirë të gatimit që joshte çdo qytetar durrsak apo të huaj që kalonte andej, ishte edhe muzika e bukur që të tërhiqte e të ftonte për t'u ulur e për të shijuar disa orë të këndshme në ajër të pastër, i rrethuar prej gjelbërimit të pemëve, që si një kurorë e gjelbërt zbukuronin këtë "ishull" të vogël. Ato pasdite dhe mbrëmjet pranverore, janë ende të paharruara dhe nostalgjike për qytetarët durrsakë. Ish lulishtja e famshme “1 Maji”, pronë publike, u shndërrua në shesh ndërtimi. Ja dhe një plagë tjetër që i është hapur Durrësit.
Durrësi i vjetër: Ish lulishtja “1 Maji” u shkatërrua për t’u ndërtuar një seri pallatesh. Ajo pak hapësirë e gjelbër u sakrifikua për këto kube betoni që dita ditës po na marrin frymën. Gjatë gërmimeve u zbulua një “lagje” e tërë antike, e paprekur dhe e ruajtur në gjendje shumë të mire që datonte që nga kohët arkaike dhe kishin një larmi ndërtimtarie që përfshinte tre periudha antike. Një larmi banesash të përdorura nga paraardhësit tanë, të cilat ishin të pajisura me rrugë, puse dhe kanale uji në shërbim të tyre. Kjo mrekulli në mes të Durrësit, si një mirazh i një kohe të shkuar kishte dalë në dritë. Një ngjarje kjo e jashtëzakonshme, por jo vetëm për arkeologjinë shqiptare, por edhe për atë europiane. Një Butrint, Pompei i ri, ishte zbuluar në qendër të Durrësit.
Linart Papa:Turp i Zotit! Po kaloja para disa ditësh aty dhe pashë se ishin rrafshuar dhe mbuluar me beton rrënojat e vjetra. këto njerëz të babëzitur janë kthyer në kafshë me instiktin e xhunglës. Më vjen shumë keq që nuk i bën përshtypje gati askujt.
Hektor Torihek:Durrësi ka qenë një ndër qytetet kryesore të Ballkanit dhe ka patur shumë objekte kulturore. Ku ndodhet sot “Bukuroshja e Durrësit”? Në Tiranë. Hipokamposi po kalbet, Torra tjetër është bërë pallat, Mozaiku te Pallati i Sportit është mbuluar me beton, Konaku i Vidit u prish, Amfiteatri është për faqe të zezë dhe kanë 4 vjet që nuk po prishin dot një shtëpi për t’a zgjeruar, Kalaja e Skënderbeut në Kep të Rodonit është lënë në mëshirë të fatit, Banjat Termale janë si mos më keq, Forumin rrethor tani duan ta mbulojnë me hekura. Kemi një qytet me vlera po nuk po dimë si t’i ruajmë.Çfarë duhet të bëjmë ne si qytetarë për t’i thënë stop shkatërrimit të qytetit tonë?
Myshketa GM: Jam i indinjuar! Kaq fuqi s’paska shteti! Të nxjerrë një urdhër urgjent që të ndalohen këto punime për vlera arkeologjike të rëndësisë së veçantë. Si mundet të lejohet të shkatërrohet kjo kryevepër? Ne nuk jemi të denjë para paraardhësve tanë! Turp! S’ndjehem durrsak!
Genti Doka: Po këta na i prishën të gjitha kujtimet. Se si ishte Durrësi më parë këta e çimentifikuan në çdo cep. Turp Turp!
Zyhra Likmeta:Sa turp! E shkatërruan qytetin tonë të dashur për të shitur betonin. Ata vetë bëhen miliarderë e njerezit nuk kanë një vend, nje lulishte ku të kalojnë kohën pa u ulur në bar.
Anila Anna Gjanci: Çfarë kriminaliteti kulturor.
Kushtrim Selmanaj:Ne jemi ajo që bëjmë.
Ardy Storm:Injoranca dhe korrupsioni që ndodhet atje na bëri të gjithëve që ta lemë vendin tonë dhe të punojmë për botën. Shqipëria është vendi më i pasur në Europë, por populli ka nevojë për disa ndërrime brezash që të marrë veten. Problemi është se Shqipëria është bërë me lloj-lloj nivele njerëzish. Dikush ka kulturën, por nuk ka fuqinë dhe dikush ka fuqinë, por nuk ka kulturën. Është bërë si vend arab, ku rrotull ka vetëm pluhur, tym, llaç dhe rërë.
Ardian Daja:Nuk bëhemi më njerëz ne. Është e kotë, është për të të ardhur keq. Të betonosh të kaluarën vetëm ne mund ta bëjmë. Nuk di as ç’të shkruaj në të tilla raste.
Jonik Berisha:Nuk e kanë fajin durrsakët, por qeveritarët që i kemi zgjedhur ne. Çfarë bëjnë ministri, kryeministri? E mbajnë gojën mbyllur se i kanë marrë lekët për fushatën e ardhshme nga biznesmenët ndërtues durrsakë.
Ferit Mbroci: Është krim që kjo vepër monumentale të katandiset në këtë gjendje. Turp, turp, turp!
Romeo Ilia-Aliaj:Pasi pashë këto foto, në mendje më shkoi intervista e Ambasadorit Danez tek thotë: "Kriminelët nuk mund ta çojnë këtë vend në Europë". Ndërkohë me shumë dhimbje unë i përgjigjem: Ata, politikanët kriminelë e çuan diku, e çuan në FIS, po duan që qyteti të ketë pamjen e sojit të tyre. Koha për reagim qytetar është në çdo kohë, por për atë shoqëri që nuk e ka të zhvilluar atë ky është një rast për t’u indinjuar, njëkohësisht për ta zgjuar ndjenjën e reagimit. E di, që asgjë nuk do të ndodhë. Nuk pres të reagojnë "intelektualët" me diploma false që qajnë për pak shtet. As administrata e mbushur me militantë, e cila më shumë rri nëpër kafene. As servilët pa dinjitet që u sheh syri këtë masakër lokale, por s’ua zë syri masakrën kombëtare të shitjes së territorit shqiptar.
Ambasadori i USA, ishte i vetmi që u prononcua për një masakër tjetër dhe pikërisht në Sarandë. Ajo atje mban vulën e një demokrati, kjo në Durrës të një socialisti. Njerëzit me karakter, qytetarët fisnikë, apo pushtetarë të ndershëm duhet të kenë të njëjtin reagim për të dyja rastet. Nuk ka burra të mirë në krye të punëve nga të dyja krahët, janë në garë të tmerrshme për babëzi. Janë të sëmurë, janë me BULIMI. Përse është kaq e vështirë sot të shohësh dhe një herë një qytetar si ish-drejtori i dikurshëm i komunales plazh në vitet 80-90 që punonte me tre turne bashkë me punëtorët, për të gjelbëruar të vetmin vend të gjelbëruar nga dora e njeriut në atë qytet, që ishte zona e plazhit nga Teuta deri në Plepa? Ah…po… më falni…është dikush që i ka hapur garë dashurisë për gjelbërim të durrsakut të dikurshëm me dashurinë për BETON të atij që rastësia e solli në Durrës