Ndonjëherë fotot flasin më shumë se fjalët, sidomos për persona që janë ndarë nga jeta dhe nuk i kemi më mes nesh. Spiro Urumi dhe Ilmi Kapllani, këto dy figura të njohura të sportit në Durrës, “Dyrrah” i sjell përmes një fotoje të shkrepur pranverën e vitit 1959, në pishinën e qytetit të Korçës
Është në nderin e së përjavshmes “Dyrrah”, që të gërrmojë në traditat e pasura të sportit durrsak dhe të evidentojë protogonistët e saj në vite. Në arkivin e pasur sportiv që disponohet, na tërhoqi vëmëndjen një foto interesante dhe me tone të prekshme nostalgjie. Është e pranverës së vitit 1959. Fotoja është fiksuar në pishinën e qytetit të Korçës ku bëheshin gara notimi dhe vaterpolo. Pasi ka përfunduar me fitore një ndeshje vaterpolo, të dy këta sportistë të shquar të Lokomotivës kanë fiksuar këtë pamje emocionuese. Vitet kanë bërë të tyren dhe sigurisht ata as që mund ta mendonin, se në numrin e “Dyrrah” të 23 korrikut 2012 kjo foto do t’i shërbente autorit të këtyre rradhëve, të ngacmonte faqe të traditës së famshme të Durrësit në sportet e ujit. Po cilët janë këta dy sportistë të shquar? Në të djathtë njeriu i njohur i skenës, artisti i merituar dhe mjeshtri i sportit Spiro Urumi dhe pranë tij mjeshtri i sportit dhe një nga mekanikët më të mirë të URT-së, Ilmi Kapllani. Çfarë fotoje… Çfarë kolosësh të sportit… Spiro Urumi kampion i Teutës në basketboll në vitin 1955, por nga vaterpolistët më të mirë të Lokomotivës. Një njeri që sfidonte të ftohtin dhe acarin e dimrit, vetëm me një xhaketë dhe një këmishë brenda saj, Spiro Urumi tërhiqte vëmëndjen rrugëve të qytetit me fizikun e tij tejet mbresëlënës. Ndërsa Ilmi Kapllanin s’kishte zot nane ta kapte në garën e 100 dhe 200 metra shpinë, ku edhe mbante rekordet kombëtare. Bëhet fjalë në moshën 17 vjeçare, në vitin 1948. Në vitet 1951-1956, Ilmi Kapllani konkuronte në 100 m stil i lirë me shokët e tij të ekipit Koço Afezolli, Ferid Velja dhe Qemal Mara. Dhe përpos këtyre cilësive të tyre, Urumi dhe Kapllani do të përfaqësonin në mënyrën më të mirë qytetin e tyre të shtrenjtë, Durrësin në sportin e vaterpolos. Por që të dy mjeshtrat e sportit nuk jetojnë më, duke mbetur të gjallë në këtë foto të rrallë dhe historike. Me 13 dhjetor 1997, si rezultat i një sëmundje të pashëruar ndahet nga jeta në moshën 69 vjeçare Spiro Urumi. Dhe vetëm 59 ditë më pas, me 10 shkurt 1998 në mënyrë të papritur, si pasojë e një infarkti akut të miakordit nuk do ta kemi më në gjirin tonë edhe Ilmi Kapllanin. Sapo kishte mbushur 67 vite jetë. Le të shërbejë kjo foto e Dyrrahut tonë, si një homazh për këto dy figura pikante të sportit durrsak, për të qenë nxitje për brezat e rinj në mbajtjen gjallë të traditave të sporteve, që aq shumë dhanë Spiro Urumi dhe Ilmi Kapllani.