28 nëntor 2015 – Futbollisti shqiptar i Zvicrës, Xherdan Shaqiri është një nga futbollistët e konsideruar “tradhtarë” kur vendosi të mos luante për Shqipërinë. Në një intervistë dhënë këtë të premte për gazetën britanike “The Telegraph” ai ka folur për jetën e tij dhe karrierën. Ajo që pritet të zemërojë sërish shqiptarët është se Shaqiri e konsideron veten një “zviceran krenar” sipas gazetës.
“Shaqiri ka lindur në një familje shqiptare të Kosovës para luftës civile që përçau Jugosllavinë. Familja e tij u zhvendos në Zvicër kur ai ishte fëmijë. Ai ka siç thotë dhe vetë “të dy mentalitetet”, por është një zviceran krenar që u bë i njohur te Baseli përpara se të kalonte te Bayern Munich dhe Inter. Është tashmë një nga të rinjtë më të njohur të Europës” – shkruan gazeta “The Telegraph”.
Më pas e përditshmja britanike flet gjerësisht për karrierën e tij te klubi i “Stoke City” duke nënviziuar se për “Messin e alpeve” u shpenzuan plot 12 milion sterlina. Ai ka thënë se tek Inter dhe Bayern “humbi rrugën” dhe se zgjodhi të transferohej te Stoke për të qenë më i qetë.
“Ishte një vendim që të shkoja në një vend kur mund të isha vetvetja dhe ku mund të isha pak sa më i qetë. Nuk doja që të isha çdo ditë në ballë. Edhe në Zvicër jam gjithnjë në front. Kështu që më pak vëmendje. Jam këtu për të punuar për të qenë një nivel ku dua të jem”, – shprehet Shaqiri.
/portali DurresLajm/





