27 nëntor 2015 – Regjisori, shkrimtari dhe përkthyesi Gjergj Vlashi ka qenë i ftuari i mbrëmjes së organizuar nga Klubi Rotarian i Durrësit, në kuadrin e takimeve me intelektualë të shquar të qytetit.
Së bashku me kolegët e tij më të rinj Haxhi Rama dhe Aishe Stari, regjisori i njohur ka folur mbi ecurinë e teatrit dhe varietesë së qytetit bregdetar, që nga themelimi i tyre. Të pranishmit më pas janë interesuar veçanërisht mbi fillimet e Gjergj Vlashit në fushën e regjisurës dhe përkthimit. Vaso Marto, Tatjana Gjepali, Skënder Garori, Vasil Aleksi, etj. kanë vlerësuar krijimtarinë e artistëve të skenës së teatrit “Aleksandër Moisiu” si dhe kërkuan të dinë më shumë për karakteristikat e estradës dhe humorit në përgjithësi gjatë diktaturës dhe në vitet e demokracisë.
Gjergj Vlashi ka vënë në skenë mbi 100 premiera me trupat e varietesë së Durrësit, Tiranës, Shkodrës, Lushnjës, Pogradecit, etj. I nderuar me titujt e lartë “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”, Gjergj Vlashi është mjaft i njohur si themelues i Varietesë dhe regjisor i Estradës së Durrësit nga viti 1960, ndërsa ka botuar rreth 40 vepra në letërsi origjinale, përkthime dhe komedi.
Njohës i disa gjuhëve të huaja, Gjergj Vlashi ka sjellë në gjuhën shqipe një varg botimesh me përkthime nga autorë të njohur si Franz Kafka, Jose Saramago, Agata Kristi, Dino Buxati, shkrimtarë rusë, italianë, austriakë, spanjollë, portugezë dhe hispano-amerikanë te shekullit të XX-të, etj. Librat e tij janë botuar edhe në Kosovë dhe në Itali.
Në përfundim të takimit, znj. Eleni Babameto i ka dorëzuar regjisorit Gjergj Vlashi Certifikatën e Mirënjohjes me “vlerësimet maksimale për kontributin, që ky intelektual i shquar i qytetit tonë ka dhënë në fushën e artit dhe kulturës”.
Klubi Rotarian i Durrësit është formuar në vitin 2000 dhe kohët e fundit ka zhvilluar disa takime me intelektualë të shquar të qytetit dhe vendit tonë.
/portali DurresLajm/