26 nëntor 2015 – Një tjetër shtetas i huaj është arrestuar nga Policia Kufitare në Rinas, i cili po ashtu si siriani që u kap dy net më parë, akuzohet për falsifikim dokumentesh.
Burime nga policia bëjnë me dije se në pranga ka rënë shtetasi malez, Aboubacar Doumbia, 20 vjeç, lindur e banues në Bamako-Mali.
“Më datën 25.11.2015 në orët e mbrëmjes është ndaluar në hyrje në R.SH në P.K.K. Rinas me linjë ajrore, pasi ky shtetas ka paraqitur si dokument udhëtimi në kabinat e kontrollit policor në Rinas, pasaportën e tij maleze me një vizë shqiptare e tipit C me afat vlefshmërie nga data 17.11.2015-16.02.2016 e lëshuar më datë 11.11.2015 nga Konsullata Shqiptare në qytetin e Kajro-Egjipt e dyshuar si e falsifikuar”, njofton policia.
Dokumentet e tij të udhëtimit u sekuestruan, dhe gjithashtu u bë vendimi për ekspertim teknik i dokumenteve të cilat janë dërguar në DPSH për ekzaminim të mëtejshëm.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Falsifikim i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.
/S.L. portali DurresLajm/