25 nëntor 2015 – Historia e grabitjes në qendër të Tiranës e ndodhur pasditen e djeshme, përballë Bankës së Shqipërisë, nuk ishte asgjë tjetër veçse një sajesë.
Disa orë pas ngjarjes, policia arrin të zbardhë dinamikën dhe të zbulojë se 29-vjeçarja kishte bërë një kallëzim të rremë.
29-vjeçarja me iniciale J. F. telefonoi në sallën operative dhe denoncoi se përpara Bankës së Shqipërisë, i kishin marrë nga çanta nën kërcënimin e një armë të ftohtë (thikë), një sasi prej 3 milionë lekësh.
Policia zbulon mashtrimin
Policia nisi hetimet e menjëhershme dhe nga puna e bërë, rezultoi se kjo shtetase ka bërë deklarim të rremë në polici, pasi i kishte premtuar të atit se do të merrte një kredi për ta ndihmuar në shlyerjen e një borxhi që ai kishte.
Në momentin që prindërit shkojnë për ta takuar dhe për të marrë lekët e premtuara nga e bija, ajo nuk i posedonte ato para dhe në tension e sipër, përpara se të takohej me prindërit, me një thikë është vetëgërvishtur duke sajuar grabitjen.
/portali DurresLajm/