24 nëntor 2015 – Hollande mbërriti në Shtëpinë e Bardhë rreth mesditës së të martës, teksa pas bisedave kokë më kokë, ata dolën edhe në një konferencë për shtyp duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve të pranishëm.

Takimi dypalësh vjen në më pak se dy javë pasi grupi i Shteti Islamik nisi një seri sulmesh vdekjeprurëse në Paris. Vizita, megjithatë, është komplikuar disi nga ngjarja më e fundit, ajo e rrëzimit të një avioni luftarak rus nga Turqia, më herët gjatë ditës së sotme.

Udhëtimi i Hollande në Uashington është pjesë e nismës diplomatike të tij për të fituar mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, për të përshkallëzuar fushatën luftarake kundër Shtetit Islamik.

Në fjalën e tij, Obama tha se “grupi i Shtetit Islamik nuk duhet toleruar aspak dhe se duhet shkatërruar”. Për këtë, ai iu drejtua presidentit francez, duke i siguruar se “SHBA-të dhe Franca duhet ta shkatërrojnë së bashku ISIS-in”.

Obama deklaroi gjithashtu se, së bashku me Hollande, ranë dakord që kombet e bashkuara me koalicionin e udhëhequr nga SHBA-të duhet të bëjnë më shumë për të luftuar Shtetin Islamik, duke e quajtur këtë të fundit si një “grup terrorist barbarësh”. Por, ai theksoi se është momenti i duhur që edhe SHBA-të me Francën të bënin më mirë, ashtu sikurse e gjithë bota.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi “solidaritet total” me Francën dhe u angazhua se do të vendoste drejtësinë ndaj shkaktarëve të vdekjeve të Parisit, por edhe njerëzve që i dërguan ata për të kryer ato akte barbare. “Së bashku mund të mbrojmë kombet tona”, tha Obama, duke shtuar se sulmet në Paris, me 130 viktima, nuk ishin vetëm një sulm ndaj Francës, por ndaj të gjithë botës.

Edhe pse gjasat ishin që Hollande të largohej nga Uashingtoni pa një mbështetje të vendosur ndaj thirrjes së tij për ta afruar Rusinë në një koalicion të ri për të luftuar ekstremistët, duket se Obama e ka pranuar rolin efektiv të Moskës në një përpjekje të tillë, por ka shtuar se sulmet ajrore të Rusisë kundër grupeve të opozitës së moderuar në Siri kanë përforcuar regjimin e Presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Për këtë, ai i ka bërë thirrje Rusisë të luajë një rol më konstruktiv, duke kthyer vëmendjen dhe objektivin e sulmeve ajrore të saj në mposhtjen e Shtetit Islamik.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se vendi i tij ka shënjestruar militantët e Shtetit Islamik, ndërkohë që SHBA-të pretendojnë se Moska ka fokusuar edhe rebelët që luftojnë kundër regjimit të Assadit, një akuzë që Kremlini e mohon. Obama theksoi se mënyra më e mirë për të rivendosur paqen në Siri është duke mbështetur një armëpushim dhe një tranzicion politik pa përfshirjen e Assadit.

/portali DurresLajm/