23 nëntor 2015 – Arrestohet një djalë 24 vjeç nga qyteti i Durrësit, i cili i ka marrë nga qafa varësen e floririt një gruaje 57 vjeçe.

Ngjarja për të cilën akuzohet i riu Enea Sheqerxhi, është shënuar ditën e enjte më 19 nëntor, në lagjen nr.18 të qytetit. Shtetasja N.M. ndodhej te shkallët e pallatit, kur 24-vjeçari i është afruar, i ka grabitur varësen nga qafa dhe është larguar menjëherë.

Raste të tilla në qytetin e Durrësit nuk janë të pakta. Disa muaj më parë, dy persona ranë në pranga të cilët u cilësuan dhe nga policia si tmerri i grave të Durrësit. Saleo Roci 22 vjeç së bashku me Hasan Beqirin 32 vjeç, në bashkëpunim me njëri-tjetrin u vidhnin varëset nga qafa disa grave në qytet, në periudha të ndryshme kohore.

/S.L. portali DurresLajm/