8 nëntor 2015 – Djali i bosit kolumbian të drogës Pablo Escobar ka bërë një deklaratë të pazakontë për këngëtarin legjendar Frank Sinatra, duke e etiketuar si një narkotrafikant i cili ishte partner biznesi me babanë e tij.
Në një intervistë për një gazetë braziliane, Sebastian Marroquín e përshkruan këngëtarin legjendar si 'një shitës të mirë droge se sa këngëtar'. Ai ka thënë se artisti amerikan ishte një prej partnerëve të babait të tij në Miami.

“Ka më shumë këngëtarë se sa mund ta imagjinoni ju që kanë nisur karrierën e tyre falë sponsorizimit të trafikantëve të drogës. Nuk ka fatura, vetëm fjalë. Unë e di sepse ai ka qenë shumë i afërt me babanë tim dhe ai dhe partnerët e tij kanë folur gjithmonë për të”, ka thënë Marroquin.

Sebastian vijon më tej duke thënë se njerëzit mendojnë se karteli i drogës ekziston në kufirin e Meksikës me SHBA. “Ku është karteli i Miami? Apo ai i Nju Jorkut? Kush është koka e kartelit të Çikagos apo Los Angeles? Çdo kile kokainë që hyn në SHBA konvertohet në tetë me ndihmën e përpunimit. Kjo është një hipokrizi e madhe kur vjen puna te drogat”, ka thënë ai.

/portali DurresLajm/