Pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) e la dje në burg, biznesmeni Ergys Agasi do të qëndrojë në paraburgimin e Bradasheshit në Elbasan.
Agasi u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës i shoqëruar nga Uljan Shpataraku, pas 8 muajsh në arrati. Ai ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) i akuzuar për përfshirje në aferat korruptive të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
SPAK sqaroi se Agasi është nën hetim që prej vitit 2025, e ndaj tij rëndojnë dyshime për një sërë veprash penale, mes tyre konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, grup i strukturuar kriminal, pastrim i produkteve të veprës penale dhe korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
Sipas dosjes hetimore, bëhet fjalë për dyshime mbi përfshirjen e tij në skema të përfitimit të paligjshëm, në bashkëpunim me persona të tjerë dhe zyrtarë shtetërorë.
Kujtojmë se Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i cili u arrestua pak kohë më parë në Francë, akuzohen për “grup të strukturuar kriminal” dhe “manipulim me tenderët” e ASHKI-t. Në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” ndodhen drejtuesja e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj, ndërsa ish-zv.drejtoresha e AKSHI-t Hava Delibashi u la në “detyrim paraqitje”.





