5nëntor 2015 – Një libër historik me 33 kryeministrat, nga Ismail Qemali deri te Edi Rama doli në treg nga gazetari Roland Qafoku. Mes tyre është edhe kryeministri i pestë i shtetit shqiptar, Iljaz Vrioni, i cili dyshohet se vdiq nga overdoza e kokainës, shkruan lapsi. Ja çfarë bëhet e njohur në libër për Vrionin.
“Historitë e tejkalimit të alkoolit me Iljaz Vrionin ishin kthyer në histori normale në Tiranën e atyre viteve. Pietro Kuaroni përshkruan këtë gjendje: “Ai pinte gotë pas gote, pothuaj me gërnje dhe pas pak fytyra e tij u bë baltë, goja iu var, qepallat plumb, ai ishte krejtësisht i dehur. E tillë ishte drama e Iljaz Beut: pija mbyllte brenda tek ai një lloj tërbimi. Dhe ai e duronte keq alkoolin, kalonte orë të tëra duke përsëritur të njëjtat gjëra me atë këmbënguljen ngacmuese të të dehurve: e pamundur të merrje leje për të dalë, biseda kthehej në një kalvar.
E gjitha kjo u ngjante krizave: ai pinte ditë të tëra pa ndërprerje. Fillonte sërish në mëngjes për t’iu dorëzuar akseseve të pasdarkës në mbrëmje. Pastaj, befas, bëhej esëll, rrinte dy apo tri ditë mbyllur në shtëpi ku e dëgjonim të grindej. Shërohej si nga një sëmundje: përsëri i qartë, i gëzuar, simpatik, gjer në rifillimin e afërt. Por transferimi i Iljaz Vrionit në Paris në detyrën e ministrit kishte edhe një gjë më shumë. Historiani amerikan, Bernd Fisher, e çon më tej degradimin me overdozat të ish-kryeministrit. Sipas tij, jo vetëm alkooli, por edhe kokaina ishin ato që i dhanë një goditje në zemër Iljaz Vrionit. Asgjë nuk mundën të bënin mjekët e spitalit “Sain Clus” në Paris për ta rikthyer në jetë. Ai vdiq më 17 mars 1938”- shkruan Qafoku në librin “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë”.
/portali DurresLajm/