30tetor 2015 – Pas 12 ditësh nga krimi në banesën e një pensionisti italian, mbërrin në Shqipëri trupi i pajetë i 22-vjeçarit Gjergj Gjoni. I riu nga Gojani i Pukës u qëllua nga 65-vjeçari Francesko Sicingano në shtëpinë e tij, në afërsi të Milanos. Vrasja e shqiptarit Gjoni shkaktoi debat pasi autori pretendon se e ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes kur ka dalluar se një person i kishte hyrë në shtëpi për ta vjedhur.
Por nga autopsia e bërë pak ditë më parë mbi trupin e viktimës rezulton se ai ka një plumb të vetëm në zemër, çka ka hedhur dyshimet për një krim me paramendim nga ana e pronarit italian. Miqtë e Gjonit deklaruan në polici se ata kishin dijeni për njohje mes viktimës dhe autorit të krimit. Nga ana e prokurorisë italiane po vazhdojnë hetimet, të cilat pritet të konkludohen pas ekspertizës mbi armën e krimit.
Trupi i Gjonit do të përcillet nesër paradite për në banesën e fundit, në vendlindjen e tij.
/portali DurresLajm/