30 tetor 2015 – Një burrë i arrestuar në Berlin i dyshuar për rrëmbimin e një djali shqiptar 4-vjeçar ka pranuar vrasjen e tij, si dhe ka pranuar vrasjen e një tjetër fëmije që kishte humbur në muajin korrik, thanë sot prokurorët gjermanë.
Një zëdhënës për prokurorët e Berlinit konfirmoi se autori 32-vjeçar kishte pranuar vrasjen e Mohamed Januzit, djali i një familjeje shqiptare e cila kërkonte azil në Gjermani, dhe 6-vjeçarit Elia nga Potsdami.
Mediat gjermane raportuan se njeriu i quajtur nga e përditshmja "Bild" si Silvio S. kishte pranuar se e kishte varrosur copa-copa trupin e Elias.
Policia e arrestoi të enjten personin në fjalë, pasi informacioneve që kishte dhënë nëna e tij, se ai ishte i përfshirë në rrëmbimin e Mohamedit. Trupi i një fëmije u gjet më vonë në bagazhin e makinës së tij.
Mohamed u zhduk më 1 tetor, teksa ishte duke pritur jashtë zyrave të programit të qeverisë për kujdesin social me nënën e tij dhe dy vëllezërit e motrat.
Policia tha të enjten se nuk kishte të dhëna se i dyshuari nga shteti lindor gjerman i Brandenburgut të kishte lidhje me grupet e djathta apo ndonjë kontakt me qarqet ksenofobe.
Marrë nga “Reuters”
/S.L. portali DurresLajm/