30 tetor 2015 – Një azilkërkues shqiptar është duke u shfajësuar në gjykatën e Anglisë se ai ka ikur nga Shqipëria për t’i shpëtuar persekutimit, pasi është homoseksual.
Mediat britanike shkruajnë se ai është Xhuljano Zota, 21 vjeç, i cili u arrestua nga policia angleze me dokumente false. Ai kishte një patentë italiane me emrin Christiano Riccio dhe kërkoi ta konvertonte në një dokument të vlefshëm për shtetin britanik.
“Ky nuk është rasti i një trafiku të paligjshëm. Ai po arratisej nga diskriminimi, i shkaktuar nga orientimi i tij seksual. Ai aplikoi për azil që në momentin e parë kur erdhi në Angli. Xhuljano thotë se është një njeri i persekutuar dhe është arratisur nga diskriminimi që i bëhet për shkak të orientimit seksual”, me këto fjalë, avokati e ka mbrojtur në gjykatë Xhuljano Zotën.
Por gjykatësi nuk e ka pasur të qartë nëse homoseksualët diskriminohen apo jo në Shqipëri. Vendimi për 21-vjeçarin do të jepet në 19 nëntor dhe gjatë kësaj kohe ai do të qendrojë në burg.
/S.L. portali DurresLajm/