13 tetor 2015 – Shkatërrohet një grup i fuqishëm kriminal italo-shqiptar, duke vënë në pranga 24 persona, mes tyre dhe 12 shqiptarë, dhe sekuestrohet 94 kg kokainë në Itali. Grupi ndërkombëtar i trafikut ishte i përbërë nga shqiptarë dhe italianë, të cilët kishin lidhje të ngushta edhe me mafian kalabreze Ndrangheta.

Hetimet kishin nisur prej shumë muajsh dhe Prokuroria ka mundur që të zbulojë të gjithë mekanizimin e trafikut të kokainës, e cila transportohej në Spanjë dhe Holandë. Kapoja i bandës sipas hetimeve të deritanishme të prokurorisë italiane dyshohet të jetë Vladimir Cara, ndërsa në mesin e të arrestuarve nga Shqipëria janë edhe dy vajza. Nga filmimet zbulohet se grupi kriminal shpesh përdorte fëmijët për mbulimin e transportimit të drogës dhe kryente martesa për të forcuar raportet mes grupeve të ndryshme mafioze.

Operacioni i koduar  “July 2014”, u drejtua nga Prokuroria e Monza-s dhe çoi në arrestimin e 24 personave, sekustrimin e 94 kg kokainë, automjeteve luksoze, 200 mijë eurove (para të thata) dhe disa banesave e aktiviteteve të trafikantëve. Në goditjen e këtij grupi kriminal u përfshinë më shumë se 150 oficerë të Guardia di Finanza-s, Drejtoria Provinciale e Lombardisë, Piemonte dhe Emilia-Romagna, të cilët i kryen hetimet me ndihmën e pajisjeve më të sofistikuara.

Kokaina fshihej në banesa, garazhe, makina të modifikuara, e të tjera. Në një rast droga ishte fshehur brenda kornizës së një makine, duke u bërë pjesë përbërëse e saj. Për ta nxjerrë prej andej, ishte e nevojshme që të pritej pjesa e shasisë.

Shqiptarët e arrestuar:

Zamir Koni

Tomorr Koni

Ervin Alikaj

Sokol Kodra

Ersin GJyleri

Albana Hoxha

Kozeta Bekshiu

Ervis Musaku

Ervin Bufi

Tomor Bekshiu

Adriano Tabaku

Vladimir Cara

/S.L. portali DurresLajm/