13 tetor 2015 – Në prag të stinës së dimrit, peshkatarët e Durrësit gjenden në udhëkryq. Punimet për portin e ri të peshkimit kanë nisur tri vjet më parë, në tetor të 2012-s, me afat 20 muaj në kontratë, por ata ende nuk e dinë kur do të shkojnë në shtëpinë e tyre të re.

Klodjan Kapiti, kreu i sindikatës së peshkatarëve në Durrës, në një prononcim për “DurrësLajm” tha se situata në portin aktual ku qëndrojnë anijet është e rrezikshme, e sidomos tani që stina e dimrit shoqërohet me stuhi.

“Nuk e dimë pse ka tre vjet që nisën punimet e porti nuk është marrë në dorëzim. Kemi dëgjuar se do ta bëjnë port për jahtet, sepse kapaciteti i këtij porti nuk është për të gjitha anijet e peshkimit. Kemi dëgjuar që do e kthejnë në port jahtesh, atë çka u fol, pa nisur zbatimi i projektit. Askush nuk u jep peshkatarëve përgjigje se çfarë po ndodh”, thotë Kapiti.

Sipas tij, tashmë që vjen stina e dimrit anijet janë në rrezik nga mbytja, apo nga përplasja me tragetet gjatë ankorimit, dhe për këtë duhet një zgjidhje e shpejtë.

Hysni Aruci, kapiten i përgjithshëm i porteve, i pyetur nga “DurrësLajm” tha se porti i peshkimit ende nuk ka përfunduar së ndërtuari.

“Janë duke vijuar punimet, në dijeninë tonë nuk është dorëzuar akoma te drejtoria e peshkimit. Sipas njoftimeve kemi mësuar se punimet do të mbyllen në muajin dhjetor. Ne nuk kemi as tagër dhe as akses të pyesim se çfarë po bëhet aktualisht, apo kur do të merret në dorëzim nga peshkatarët”.

Kontrata në 2012-n:

Kontrata me kompaninë austriake “Straberg”, e cila u shpall fituese e tenderit ndërkombëtar për realizimin e projektit është nënshkruar më 14 gusht të vitit 2012, dhe punimet për ndërtimin e portit të peshkimit do të përfundojnë brenda një periudhe 20-mujore.

Ndërtimi i portit të peshkimit do të realizohet me financimin e Bankës Islamike prej 14.6 milionë dollarësh, të ndarë në dy lote.

Porti i peshkimit do të ndërtohet ngjitur me portin detar të Durrësit, i mbështetur pjesërisht në muret dallgëthyese të pjesës perëndimore të tij. Projekti është realizuar tre vjet më parë nga studio marokene CID. Ai parashikon ngritjen e një skoliere (barriere me gurë) prej 800 metra linear përballë murit perëndimor të portit, nga vendi ku ndodhet kapiteneria deri në godinën e stacionit meteorologjik.

Brenda basenit ujor prej 8 hektarësh, që do të krijohet mes dy mureve, do të ndërtohen tre pontile (ura) me gjerësi 4 metra dhe me gjatësi 84 metra secila. Me ndërtimin e portit të ri do të mundësohet ankorimi i 130 motopeshkatoreve njëherësh.

Largimi i motopeshkatoreve nga zona e tanishme do të çlirojë 100 metra kalatë dhe një sipërfaqe prej 2.8 ha.

Sipas masterplanit për zgjerimin dhe modernizimin e portit detar më të madh të vendit, me largimin e motopeshkatoreve nga vendankorimi aktual gjatësia e kalatës së trageteve do të dyfishohet, ndërsa manovrat e anijeve dhe trageteve në basenin portual nuk do të kenë pengesa.

/K.H. portali DurresLajm/