7tetor 2015 – Një adoleshent nga Vlora që bëri namin me armë në dorë zbutet në polici. Bëhet fjalë për 16-vjeçarin B.A. banues në lagjen “Osman Haxhiu”. Policia kishte marrë informacion se në faqen në Facebook “Jeta osh qef” është shpërndarë një video e një djali minoren, i cili ka në dorë një armë zjarri duke qëlluar në ajër dhe të cilësuar  me mbishkrimin: JA SI DO E PRESIM SERBINË NË VLORË!”.

Në lidhje me këtë raportim, Strukturat përkatëse të Policisë së Vlorës, pas hetimeve të kryera në mënyrë të menjëhershme,  kanë  bërë të mundur identifikimin e personit në fjalë, ku rezultoi se kjo video është realizuar nga adoleshenti. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij personi, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale, një "Armë-Lodër" të ngjashme me një "Armë-Zjarri" të vërtetë, konkretisht: tip Pistoletë, ngjyrë e zezë, me mbishkrimin "Ekol-Aras-Magnum", një krëhër me një fishekë, me kapsollë të pa plasur, ku në pjesën e majës ka një material plastik ngjyrë jeshile të ngjashme me ato të fishekëve zhurmues.

Policia ka bërë shoqërimin e personit të mësipërm në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Vlorës dhe sipas deklaratës së tij, ai ka shpjeguar se kjo video është kryer para 20 ditësh në rrugën e lagjes së tij "Osman Haxhiu", në vendin e quajtur "Sheshi i Kateqit", me qëllimin e vetëm për ta postuar në profilin e Facebook-ut të tij.

/portali DurrësLajm/