6 tetor 2015 – Një 56-vjeçar përleshet me dy grabitës të armatosur në zonën e plazhit në Durrës.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në lagjen nr.13 në sektorin “Hekurudha”, ku 56-vjeçarit A.A. i kanë dalë përpara dy persona të maskuar dhe kanë tentuar t’i vjedhin nën kërcënimin e armëve shumën prej 140.000 lekësh që ai kishte me vete.
Policia bën me dije se ky shtetas është përleshur me dy grabitësit e paidentifikuar dhe ata janë larguar pa i marrë paratë.
Si rezultat i përleshjes me autorët, 56-vjeçari ka marrë dëmtime të lehta në trup dhe pas mjekimit në Spitalin e Durrësit është larguar për në banesën e tij.
Sipas dëshmisë që ka dhënë në polici, dy grabitësit ishin me një motor skuter blu, pa targa dhe me maska motori në kokë.
Në vendin e ngjarjes u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
-shuma prej 140.000 lekësh;
-një fishek me kapsollë të pa goditur 9mm;
-një gëzhojë dhe një predhë 9mm.
Ndërkohë që po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre, materialet kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprat penale “Vjedhja me armë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
/S.L. portali DurresLajm/





