3tetor 2015 – Sheshi pranë mbikalimit të Shkozetit do të njihet si “Arabia Saudite”. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka përuruar përfundimin e punimeve të mbikalimit të Shkozetit i cili është një investim prej rreth 8 milionë eurosh i mundësuar nga fondi saudit për zhvillim. Në këtë përurim kanë marrë pjesë ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë Talat Salem Radwan dhe përfaqësues të projektit.
Ky është një investim mjaft i rëndësishëm ndërkohë që fondi saudit për zhvillim ka financuar edhe kolektorin e ujërave të larta me gjatësi 1.5 kilometra në Durrës në zonën e Plepave. Pas përurimit të këtij investimi është mbjellë në mënyrë simbolike edhe një rrënjë ulliri në sheshin e gjelbër që është gjithashtu pjesë e këtij investimi. Në fjalën e tij kryebashkiaku Vangjush Dako theksoi rëndësinë e këtij investimi jo vetëm për Durrësin por për të gjithë Shqipërinë. Sipas Dakos janë disa projekte të tjera drejt nënshkrimit, si rehabiliti i kanalit nga Plepat deri në Shkëmbin e Kavajës si dhe rehabilitimin e disa zonave të Durrësit siç është ajo e plazhit dhe zona e Currilave. Për nder të investitorëve, Bashkia e Durrësit do t’i propozojë këshillit bashkiak vendosjen e emrit Arabia Saudite këtij sheshi.”
Mbikalimi i Shkozetit është një nga nyjet më të rëndësishme të trafikut në shkallë kombëtare që zgjidh një problem madhor të qarkullimit të vendasve por edhe të turistëve të shumtë që kalojnë në këtë nyje që gjithashtu ka marrë tashmë një imazh modern pasi është investuar edhe në gjelbërimin e kësaj zone. Në këtë investim janë kryer punimet nëntokësore, është ndërtuar rruga është ndërtuar mbikalimi i Shkozetit dhe kolektori për drenimin e ujërave, gjelbërimi dhe sinjalistika.
/portali DurresLajm/





