2tetor 2015 – Gjithçka do të bllokohet mes Tiranës e Elbasanit, për shkak të ndeshjes mes kombëtares serbe dhe asaj shqiptare. Policia ka bërë të ditur masat për këtë ndeshje të rëndësishme për Euro 2016, por më tepër për shkak të përplasjeve gjatë ndeshjes së një viti më parë, në stadiumin e Beogradit.
Mësohet se i gjithë grupi serb mbërrin në orën 18:00 të 7 tetorit. Autostrada që lidh aeroportin Nënë Tereza me kryeqytetin do të jetë e gjitha e bllokuar, rruga e kontrolluar dhe autobusët që transportojnë serbët do të shoqërohen me eskortë në hotelin “Sheraton”, transmeton “SS”.
Skuadra e drejtuar nga Radovan Curcic do të kalojë natën mes të enjtes dhe të premtes në Tiranë. Ekipi kundërshtar zgjodhi të qëndrojë në hotel deri në momentet përpara sfidës së 8 tetorit. Serbët do të drekojnë dhe do të pushojnë në Tiranë, ndërsa dy orë përpara ndeshjes do të paraqiten në Elbasan Arena. Pikërisht udhëtimi nga Tirana drejt Elbasanit cilësohet edhe si pjesa më e rëndësishme e qëndrimit në Shqipëri.
Zv.presidenti i Federatës Serbe, Goran Milanovic, bëri të ditur se skuadra do të udhëtojë me autobusë dhe e shoqëruar nga 350 policë. Numri kaq i lart i efektivëve në dispozicion që do të blindojnë rrugën afro 50 kilometra lidhet me shqetësimin e serbëve se në disa segmente rruga kalon në zona rurale.
/portali DurresLajm/





