25 shtator 2015 – Në Durrës ka nisur prej disa ditësh aksioni për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujit të pijshëm.
Vetëm gjatë ditës së sotme janë bërë 6 ndërhyrje për prerjen e lidhjeve të paligjshme, ndërkohë që një subjekt është gjobitur me gjobë në vlerën e 50 mijë lekëve.
Aksioni i ndërmarrë nga UKD-ja është përqendruar në lagjen nr. 1 të qytetit, ku objekt i kontrollit janë më së shumti subjektet e vogla, bizneset që operojnë përgjatë rrugës nga shëtitorja “Taulantia” deri në Currila.
Por, shumica e bizneseve në këtë zonë janë sezonale dhe një pjesë e pronarëve nuk janë gjetur nga grupi i punës gjatë kontrollit të ushtruar prej tyre.
Gerald Dautaj, përgjegjës i sektorit të mirëmbajtjes në UKD shprehet se subjektet e konstatuara me probleme që nuk kanë kontratë me Ujësjellësin do të faturohen afrofe për periudhën kur kanë marrë ujë të pijshëm gjatë stinës së verës.
“Ne kërkojmë nga këto biznese që të vijnë dhe të lidhin kontata me UKD-në, pasi nuk mund të vazhdojnë në këtë mënyrë, duke ndërhyrë në rrjet dhe duke marrë ujë pa matës. Llogaritja e sasisë së ujit për këto subjekte gjatë verës do të bëhet duke marrë për bazë konsumin normal të një subjekti të tillë”, ka deklaruar z.Dautaj.
Gjatë javës së ardhshme pritet të përfundojë kontrolli i të gjithë debitorëve në zonën nr. 1, e më pas i njëjti grup pune do të vazhdojë të njëjtën procedurë në zonat e tjera të qytetit.
/S.L. portali DurresLajm/





